Kosova, ndoshta më shumë se Shqipëria, duhet t’i gëzohet shembjes së Sali Berishës
Nga Salih Kabashi
Në Tiranë të dielën u zhvilluan zgjedhjet. Sali Berisha i lau me gjakun e të tjerëve e në fund edhe me lotët e tij. E tmerrshme.
Pikëlluese të thuhet, por përgjakja pritej të ndodhte edhe në këto zgjedhje, sepse këto po i organizonte dhe në to po merrte pjesë ish-presidenti dhe kryeministri i deritashëm i Shqipërisë, disaherë i dëshmuar si vrasës i shqiptarëve.
Në kontingjentin e shqiptarëve të vrarë gjatë sundimit të Sali Berishës bëjnë numrin e trishtueshëm edhe kosovarë. Janë të panumërt kosovarët e shtruar në dru nga SHIK-u i Berishës dhe Gazidedës. Biznesi i kosovarëve në Shqipëri gjatë sundimit të tij të gjatë ka qenë më i pasigurt se sa ka qenë po ai biznes në Serbi në kohën më të egër të tërbimit antishqiptar millosheviçian.
Plaçkitja, grabitja e dhunimi i kosovarëve përgjatë qëndrimit dhe udhëtimit nëpër territorin shqiptar, kur të shtrënguar nga halli i okupimit detyroheshin që përmes Maqedonisë e Malit të Zi të arrijnë në Kosovë dhe anasjelltas, në kohën e Presidentit Berisha, ka qenë e lejuar institucionalisht dhe e padënueshme ligjërisht. Ishte koha e krizave e luftërave në ish-Jugosllavi. Shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë kishin shpresa te “shteti amë” dhe te “presidenti i gjithë shqiptarëve”, por atyre u doli fjala e urtë se shpesh ku është uzdaja, aty është murtaja.
“Pro-kosovarizmi” e “dashuria” e Sali Berishës në epokën e gjithëfuqishmërisë prej sundimtari në Tiranë, njeh shembuj djemsh të Kosovës të djegur për së gjalli në zjarr si dhe të grabitur e të zhdukur nga struktura të sigurimit shtetëror.
Regjimi i Sali Berishës ka qenë veçmas i egër dhe i pabesë ndaj atyre njerëzve të devotshëm të përpjekjeve për lirinë e Kosovës, të cilët si idealistë dhe atdhetarë të kulluar patën iluzionin se në vendin e tyre amë do të mund të përgatiteshin për luftën e domosdoshme që po i afrohej vendit të tyre. Janë të shumtë ata që Berisha arrestonte edhe pse ata njerëz fare të thjeshtë e të varfër nëpër kafe-qymeze të Tiranës kishin ndërruar ndonjë llaf mbi domosdoshmërinë e përgatitjeve për luftën kundër Serbisë okupatore.
Sali Berisha dhe regjimi i tij ka pas ndjekë, pasi së pari i kishte futur në burg, të gjithë ata që më vonë u bënë udhëheqës kryesorë të luftës në Kosovë.
Ky pro-kosovar i rrejshëm ka manipuluar shumë me karakterin fisnor-klanor të Kosovës dhe me lidhjet më shumë të shpifura se sa reale familjare mes vendlindjes, fisit e derës së tij dhe disa familjeve veçmas në Rrafsh të Dukagjinit, folklorizmi i të cilave sikur kishte nevojë për ndonjë lidhje fisnore e fisnikërie me një “president”.
Sali Berisha ka qenë dhe ka ngelë një njeri i pabesë.
Me Kosovën pos pabesisë ka treguar edhe mosmirënjohje. Njerëzit duhet ta dinë se pa ndihmën financiare dhe teknike të kosovarëve në Perëndim partia e tij do të mbetej opozitë e Partisë së Punës deri në ditët e sotme. Kosovarët e LDK-së e patriotë me e pa përcaktim partiak dërguan mbi njëqind makina nga Zvicra e Gjermania për nevojat e PD. Pa llogaritur këtu qindra telefaksa, fotokopjues e materiale logjistikë. Pa llogaritur qindra mijëra marka, dollarë e franga dorëzuar vetë Berishës dhe rrallëherë tjetërkujt.
Kosovarët kanë veshë e mbathë për herë të parë tamam evropçe gati krejt kreun e PD-së dhe vetë Sali Berishën, bashkëshorten dhe familjarët e tij. E kujtoj me këtë rast të ndjerin veprimtar preshevar, Hasan Kadriu nga Valisi i Zvicrës kur ai me paratë e tij nëpër butiqet më të shtrenjta helvetike i blinte Sali Berishës edhe nga gjashtë palë rroba, siç thuhet – nga këpuca deri te kapuçi.
Ndër kosovarë mbretëronte bindja se duhet forcuar Shqipëria, sepse ajo pastaj ndihmon e shpëton Kosovën. Ata njerëz të mirë e naivë nuk dinin se asodore po majmnin një bandë anti-kosovarësh, anti-toskësh e veçmas anti-shqiptarësh ortodoksë. Kosovarët pa vetëdije ndihmuan në përgatitjen e vitit të përgjakshëm 1997 në Shqipëri. Sali Berisha si njeri i pabesë vazhdimisht ushqeu me fjalë e goditi fshehtas me vepra si serbi e në bashkëpunim me Serbinë gjithë embrionet luftarake e pacifiste për çlirimin e Kosovës.
Sali Berisha ka qenë i pabesë ndaj Ibrahim Rugovës. Sali Berisha ka manipuluar në mënyrën më të pabesë me Adem Demaçin. Sali Berisha e ka luftuar me krejt mekanizmin e propagandën shtetërore Rexhep Qosjen. Sali Berisha ka qenë armik i egër i UÇK-së.
Kur kujton këto nuk ke si të mos habitesh me njerëzit e mirë të Kosovës që sot vajtojnë ikjen nga pushteti dhe ndëshkimin me votë popullore të hasmit të tyre faktik.
Ashtu siç po ikën Sali Berisha nga politika shqiptare, edhe shqiptarët e Kosovës duhet të tranden e të ikin nga Sali Berisha. Ai që ishte aq i zi për Tropojën dhe Shqipërinë e tij nuk mund të ishte i mirë për Kosovën.
Arben Gashi, deputet i LDK-së në Parlamentin e Kosovës, të dielën ka votuar në Tiranë për anëtarët e parlamentit të Shqipërisë. Ai ka bërë një gjest të turpshëm. Ka treguar se ai nuk beson në ekzistencën e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur. Ai dhe kosovarët tjerë, që u dyndën më 23 qershor drejt kutive të një elektorati tjetër, megjithatë të një shteti tjetër, uroj të jenë njerëzit e fundit që do të bëjnë veprime të tilla të çuditshme, të pandershme e të turpshme.
Ikjes së përçarësit dhe vrasësit të shqiptarëve, ikjes së Sali Berishës, duhet t’i gëzohen edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe Maqedonia. Kosova ndoshta më së shumti.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.