Wiadomości: Shqiptarët përpjekje të mëdha për ringritjen pas tërmetit

Kur vjen një fatkeqësi, brenda disa dhjetëra sekondave, gjithë jeta juaj kthehet përmbys. Të zgjuar në mes të natës, largoheni nga shtëpia dhe nuk ktheheni kurrë më. Shqiptarët po përpiqen të rikuperohen nga tërmeti më shkatërrimtar i një shekulli, por për momentin është e vështirë të vlerësohen edhe humbjet materiale në vendin e vogël të Ballkanit. Për të mos përmendur dëmet e shkaktuara në psikologjinë e njerëzve, të cilët ishin pjesë e kësaj tragjedie.
Ismaili qëndron me krahët e kryqëzuar pas shpinës dhe sheh ekskavatorin që gërmon mbeturinat. Tulla, kompesata të thyera, tuba të përkulur bien nga një kovë e madhe e makinerisë. Copa dyshekësh, batanije dhe krevate gri prej pluhurit bien midis tyre, shkruan Marcin Terlik i programit kryesor informativ të televizionit polak, Wiadomości. “Një goditje na zgjoi. Menjëherë e dinim se çfarë po ndodhte, thjesht ndjemë tokën teksa tundej”, thotë Ismaili teksa ngre zërin për t’u dëgjuar mbi zhurmën e ekskavatorit.
“Me gruan dhe tre djemtë u larguam nga shtëpia. Në rrugë, përballë nesh, e gjithë ndërtesa u shemb. Shpërtheu paniku. Kishte tym, sigurisht nuk kishte energji elektrike, nuk kishim asnjë dritë”. “Nën rrënoja dëgjuam zëra njerëzish. Një tavan prej betoni ra mbi një grua të moshuar dhe nipin e saj. Së bashku me fqinjët, arritëm të merrnim djalin para se të arrinin skuadrat e shpëtimit. Ai theu të dyja këmbët, por mbijetoi. Gruaja e moshuar ishte e pavetëdijshme. Ajo vdiq më vonë në spital”, tha një burrë 56 vjeç.
Shtëpia e Ismailit është menjëherë pas tij, kopshti fillon disa metra larg rrënojave. Qëndron, por i është vendosur shiriti nga ekipet e verdha të shpëtimit, është dëmtuar dhe nuk mund të kthehemi derisa të forcohet. Pesë kilometra larg, familja e Ismailit mori një strehë nga qeveria. Megjithatë, ai vjen çdo ditë në vendin e tragjedisë.
“Dua të jem afër shtëpisë sime. Ndihem i lidhur me të. Nuk e di sa do të zgjasë, mbase gjysmë viti, mbase një vit, por ne duam të kthehemi këtu”, thotë ai. Flas me Ismailin në fshatin e Thumanës, më pak se një orë nga veriu i Tiranës. Pak kilometra më tej ishte epiqendra e tërmetit që goditi Shqipërinë në natën e 25-26 nëntorit. Një goditje e gjatë 30 sekonda, me magnitudë 6,4 të shkallës Rihter ndodhi ekzaktësisht në orën 03:54. Në të gjithë vendin 51 persona humbën jetën dhe të paktën 900 të tjerë u plagosën. Ky tërmet ishte më i forti në Shqipëri pas 40 vitesh dhe më vdekjeprurësi në rreth një shekull.
Në ndërtesën e shembur që po sheh Ismaili humbën jetën 17 persona. Kur u afrohesh rrënojave, ndjen se po hyn në jetën e tyre private. Mes tullash mund të shihni sandale grash, çanta pazari dhe drita krishtlindjesh. Ka bluza Inter Milan, bllok shënimesh matematike, valixhe plastike, fasule të shpërndara. Mbi copën e betonit shtrihet fjalori anglisht-shqip i lagur nga shiu. Disa fjalë janë të rrethuara me stilolaps blu, ndërtesë, autobus, shembull, ushtrim, fabrikë, larg, shpejt. Ismaili po na tregon një album me foto që gjeti në rrënoja. Ai i njeh njerëzit në fotografi dhe thotë se fqinjët ishin si familje. Ismaili kthen faqet, ai mbijetoi, ai vdiq, ai mbijetoi, ata vdiqën.
“Mbaj mend mirë një djalë 25 vjeçar. Erdhi nga Anglia për ceremonisë e fejesës së vëllait të tij. Një burrë i dëmtuar rëndë mbeti nën rrënoja. Askush nuk mund ta nxirrte jashtë. Pjesëtarët e skuadrave të shpëtimit i dhanë ujë, por nuk mund ta nxirrnin. Ai vdiq në vend”, thotë Ismaili. “Ka kaluar vetëm një javë. Jemi ende të tronditur”, shton ai. Është errësirë në Thumanë. Një djalë i dobët më një xhaketë lejla dhe gri dhe xhinse të grisura te gjunjët ngjitet mbi rrënojat. Elmazi është 19 vjeç dhe pak para tërmetit ai erdhi nga Lioni, ku jeton nëna e tij. Kërkesa e tij për azil u refuzua dhe nëna e tij ende po pret vendimin e autoriteteve franceze. Ai u kthye në Thumanë, tek babai dhe pesë motrat dhe vëllezërit e tij.
“Babai erdhi atë natë dhe bërtiti ‘vraponi’, kështu që vrapuam jashtë shtëpisë. Dhe ja, shikoni”. Elmazi tregon me gisht nga një copë muri dhe një dritare. Ajo çfarë dikur ishte pjesë e brendshme e shtëpisë, tashmë është e mbushur me mbeturina deri në lartësinë e çatisë. Familja e 19-vjeçarit mbijetoi, ata janë të sigurt. Gjithashtu morën një çadër nga qeveria pranë fshatit. Ashtu si dhe Ismaili dhe Elmazi kthehet në rrënojat e shtëpisë së vjetër, nën të cilat humbën jetën 17 nga fqinjët.
“I njihnim këta njerëz. Veçanërisht për fëmijët është traumatike”, thotë ai për vëllezërit dhe motrat e tij. Elmazi nuk e di se çfarë do të ndodhë më vonë. Ai shpreson se brenda dy ose tre muajsh do të fillojnë të rindërtojnë shtëpinë bashkë me babain e tyre. Tërmeti kishte forcën më të madhe në Thumanë, por u ndje në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë prej tre milion banorësh, si dhe në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Mijëra njerëz mbetën pa shtëpi.
Pjesa më e madhe dëmtimeve ishte në Durrës, pranë detit Adriatik, qyteti i dytë më i madh në vend. Pranë plazhit ndodhen hotele të reja me shumë kate. Shqipëria fokusohet tek turizmi duke dashur të përsërisë suksesin e veriut të Kroacisë dhe Malit të Zi. Pas vijës së hoteleve dhe autostradës me katër korsi, fillon rrethi i zakonshëm i banimit. Në rrugë paralel me plazhin ndodhet një grup shpëtimi me helmeta ndërtimi dhe xhaketa portokalli të ndritshme. Ekipi me gjashtë anëtarë është një nga ekipet inxhinierike të Durrësit për të vlerësuar rrezikun e shembjes së ndërtesave të dëmtuara. Fillojnë punën në tetë të mëngjesit dhe mbarojnë në muzg. Gjatë ditës, ata vizitojnë 25 deri në 30 ndërtesa. Kjo varet nga vendimi i tyre nëse njerëzit që janë larguar nga shtëpitë me nxitim në mes të natës, më në fund do të jenë në gjendje të kthehen tek përsëri.
Vendimi nëse njerëzit e larguar do të rikthehen në shtëpitë re tyre varet nga ky ekip. “Fillimisht inxhinierët e shohin ndërtesën nga jashtë, kontrollojnë elementët më të rëndësishëm të strukturës. Më pas ata futen brenda dhe e kontrollojnë atë kat më kat”, shpjegon Donika, një specialiste 34-vjeçare, pjesë e ekipit.
Sot shqiptarët shoqërohen nga dy ushtarë izraelitë të veshur me kostume jeshile të errët. Ditët e tjera, zjarrfikës francezë dhe inxhinierë grek ose italianë kontrolluan ndërtesat me ta. Shtete të ndryshme kanë dërguar ekspertë duke përfshirë Poloninë, edhe pse ndihma erdhi më vonë se të tjerët. Krijimi i ekipit polak u vendos më 6 dhjetor.
“Njerëzit ndihen më të sigurt kur shohin se një i huaj është me ne. I besojnë më shumë ekipit ndërkombëtar”, thotë Donika duke iu drejtuar një grupi banorësh. “Duan përgjigje të menjëhershme se çfarë do të ndodhë me ta dhe shtëpitë e tyre. Unë i kuptoj por nuk mund t’ia japim këtë përgjigje tani”, shton ajo.
Në rrugët që po ecim ndodhen shumë policë. Ata ruajnë rrugicën e rrethuar, ndonjëherë bisedojnë me njerëzit e mbledhur aty pranë. Inxhinierët i kalojnë pranë pa fjalë dhe kalojnë nën një tjetër shirit policie. Mbi ne është një ndërtesë 12 katëshe. Muret në nivelet më të ulëta janë plasaritur, në disa vende ka vrima të mëdha me diametër në disa metra, nga të cilat duken karriget, tavolinat dhe shtretërit në dhoma. Në tokë, në një rrugë të ngushtë shtrihen blloqe të thyera, copa suvaje dhe bimësh të çrrënjosura nga vazot.
“Nuk e kam idenë sesi njerëzit u larguan nga ky vend të sigurt, askush nuk u lëndua”, pyet Diana, një inxhiniere nga ekipi i ndërtimit të shtëpive. Shkallët janë rrëzuar. Edhe vetë ekspertët, të siguruar dhe të kujdesshëm, nuk duan të ngjiten në katet e sipërme. “Njerëzit lanë pas gjithçka që kishin. Tërmeti ndodhi në katër të mëngjesit. Të kthehen dhe të marrin gjërat e tyre? Nuk do të ketë kurrë e mundur këtu”, shton ajo duke parë ndërtesën e dëmtuar. Një grup rreth 12 personash po qëndrojnë ende para shiritit të vendosur nga policia. Tre mesoburra pinë cigare qetësisht. Janë ish-banorë të një lagjeje të dëmtuar. “Në tërmetin e parë, më 21 shtator, u shfaqën të plasariturat e para, por askush nuk mendoi të bënte një kontroll. Më pas ndodhi i dyti. U arratisëm natën dhe nuk kthyem më”, tregon Mihali, një banor i katit të gjashtë.
“Nuk mund të kthehemi aty, nuk mund të marrim asgjë. Jetojmë me familjet tona. Po presim ndonjë vendim qeverie, por nuk dimë asgjë”, tregon ai i mërzitur. Kur e pyes sesi arriti të largohej nga kati i gjashtë thotë: “Mundohu të shkosh atje e ta shohësh vet”. Në qytetin e Durrësit ka konfuzion. Këtu njerëzit mundohen të marrin vesh se çfarë do ndodhi me shtëpitë e tyre, këtu aplikojnë për ndihmë, kërkojnë strehim. Zyrtarët që ecnin me nxitim nëpër korridore, pinë cigare, duke lëshuar hirin në dysheme.
Në katin e parë takoj një djalë dhe një vajzë ku në etiketat afër qafës lexohet “Vullnetar”. Të dy janë studentë në universitetin e Durrësit. Maringleni, 22 vjeç është më i sigurt, ai përgjigjet i pari. Ai ka bërë punë sociale që në gjimnaz, ka organizuar mbjellje pemësh dhe pastrim plazhi si dhe ka mbledhur fonde. Megjithatë, ai thotë së tani është ndryshe. “E përjetova të gjithën vetë. Pashë shumë ndërtesa të shkatërruara, njerëz të pastrehë. Isha me fat, nuk e humba apartamentin tim, por shoh se çfarë i ndodhi të tjerëve”, shpjegon ai. Maringleni tregon se nga universiteti i tij erdhën 70 vullnetarë. Ata kanë bazën këtu në qytet, mbledhin informacionet për nevojat e qytetarëve dhe koordinojnë aktivitetet. Shpërndajnë ushqimin qe vjen nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia. Disa prej tyre punojnë në terren”.
“Takova shumë njerëz që po vuajnë, veçanërisht fëmijë. Kam një dobësi për fëmijët”, thotë Adela, 18 vjeç, e cila ditët e para ndihmoi viktimat në vendin e tragjedisë. ”Zakonisht njerëzit po thonë: ‘Humbëm gjithçka që kemi’. Fëmijët qajnë. Disa janë në depresion. Përjetojnë stres të madh”, thotë studentja. ”Njerëzit kanë nevojë për dashuri, për dikë t’i qëndrojë afër, dikë më të cilin të flasin, të ndajnë ndjenjat. Ja pse jemi këtu”, shton ajo.
Stafi qeveritar i krizës ishte në katin e dytë. Në njërën nga dhomat, përfaqësuesit e autoriteteve lokale ulen së bashku me ekspertë të huaj. Elisa Spiropali, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Partisë Socialiste në Shqipëri, hyn në sallën e konferencave. Ajo është shtatzënë dhe megjithëse lëviz me energji mes zyrtarëve, duket e rraskapitur.
“Është ende shumë e vështirë” thotë ajo në fillim të bisedës. “Megjithatë, shpresojmë se ekipi ynë do ta përballojë. Kontrollojmë çdo ndërtesë me shumë kujdes, siguria është prioriteti ynë. Më pas do të bëjmë një vlerësim të dëmeve”, shton ajo.
“Sa njerëz kanë mbetur pa shtëpi? Qeveria nuk e di saktësisht. Nga vetëm Durrësi, 2 000 jetojnë akoma në hotele. Përveç kësaj, janë ata që flenë në makina, tenda ose me një familje. Mbi 5000 ndërtesa u shkatërruan në të gjithë vendin. Pra, mund të imagjinojmë që numri i përgjithshëm i njerëzve të pastrehë është shumë i lartë”, deklaron Spiropali. Ministrja thekson se gjëja më e rëndësishme tani është kalimi nga gjendja e jashtëzakonshme në fazën e rindërtimit. Prandaj, më të nevojshmit janë ekspertë të cilët mund të vlerësojnë dëmin dhe përcaktojnë se cilat shtëpi janë të banueshme. Njerëzit e zakonshëm mund të ndihmojnë.
”Shumë vullnetarë nga vende të ndryshme vijnë tek ne. Unë i njoh ata nga Kosova, Greqia, Izraeli, Italia apo Serbia. Disa ofrojnë ushqim, ilaçe, dhe të tjerët thjesht qëndrojnë në kampe me viktimat dhe kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme. Ne e vlerësojmë vërtetë ndihmën e institucioneve të huaja, por edhe të njerëzve të thjeshtë”, thekson Spiropali. “Duam ta shndërrojmë këtë tragjedi të tmerrshme në një rast për të ndihmuar shtet më të sigurt. Duam ti rikthejmë njerëzve shtëpitë dhe shpresën. Nuk do të jetë e lehtë, por me vizionin dhe strategjinë tonë, është e mundur”, shton ministrja.
Ka më pak optimizëm përpara bashkisë. Në sheshin përfaqësues me shatërvan dhe palma, viktimat e tërmetit shkëmbejnë eksperiencat. “Autoritetet janë përqendruar në periferi, madje dhe qendra është dëmtuar rëndë. Jetoja pesë minuta larg. Tani nuk kam asnjë vend”, thotë 30-vjeçarja, Adriana. Shtëpia e saj ishte dëmtuar rëndë. Sipas saj nga jashtë nuk duket keq, por brenda është e frikshme. Ajo u largua me prindërit e saj porsa nisi tërmeti. Fillimisht jetuan në makina për disa ditë, tani jetojnë në Tiranë tek vëllai i saj. Ajo është kthyer në Durrës për të kuptuar nëse është marrë ndonjë vendim për të.
“Në fillim na u tha se do të merrnim strehim në hotel, por kemi pesë ditë që presim për këtë dhe ende asgjë. Më pas dëgjuam se duhej të merrnim një apartament me qira dhe se qeveria do të na paguante kostot. Problemi është se asnjë nga këto premtime nuk është zyrtar. Pra duhet të firmosim kontrata, pa e ditur se për çfarë periudhe dhe për sa kohë do të marrim mbështetje. Gjithashtu duke parë sa ndërtesa janë dëmtuar, si mund të gjejmë një apartament për ta marrë me qira?”, pyet një 30-vjeçar.
“Pas një tërmeti njerëzit kanë të njëjtat simptoma me ata që u mbijetojnë luftës”, thotë Renisa Beqiri, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Tiranës. “Është një stres post traumatik, Një ngjarje dramatike në jetën e një personi ndryshon plotësisht funksionimin e tij. Te disa vijnë kujtimet e papritura, ata mendojnë vazhdimisht për atë që ndodhi, ata shohin ëndrra me atë që ndodhi. Njerëz të tjerë e heqin nga mendja plotësisht. Kam takuar njerëz që më kanë thënë “e di se çfarë ndodhi, por nuk kujotoj dot asgjë”. Ata ndihen të pafuqishëm, ata nuk e dinë së çfarë të bëjnë me njëri-tjetrin. Ata ose flasin për këtë situatë gjatë gjithë kohës ose nuk e përmendin fare. Jeta e tyre aktuale u duket joreale’’, thotë ajo.
Ditën e parë pas fatkeqësisë, Renisa organizoi një ekip psikologësh, mjekësh dhe studentësh për të shkuar dhe për të folur me të mbijetuarit. Siç thotë ajo, ata u përpoqën të rrinin 24 orë me ta. Para së gjithash ata punuan me fëmijët, u kërkuan të vizatonin diçka, i pyetën se si ndiheshin dhe u shpjeguan se nga vinin tërmetet.
Pjesa më e vështirë ishte me familjet, ku dikush kishte humbur jetën. Pjesa më e madhe e tyre nuk donin të flisnin me psikologët. “Kur një nga të dashurit e tu vdes, atëherë ju keni humbur shpresën. Ata njerëz kujtojnë se ne nuk mund t’i kuptojmë, ata mendojnë se ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta. Ne u japim atyre kohë dhe përgatitemi që të rikthehemi më vonë. Vjen një moment që ata mund të ndihen fajtorë, fillojnë të urrejnë veten, përpiqen të ndëshkojnë. Ne duam t’i ndihmojmë ata, por ndonjëherë juve ju duhet të prisni për ndihmën”, thotë Renisa.
Gjatë dy javëve të fundit, psikologia ka takuar më shumë se 100 të mbijetuar. Ajo ishte në të gjitha zonat e prekura nga fatkeqësia. Disa biseda kanë qenë shumë të vështira për të. “Takova një familje ku tre persona ishin me aftësi të kufizuara. Nëna kujdesej për dy nga djemtë, ndërsa babai vuante nga disa çrregullime dhe nuk ishte në gjendje të punonte normalisht, thjesht bënte ndonjë punë në të zezë. Gjyshi jetonte me ta, plotësisht i paralizuar në krevat. Shtëpia e tyre ishte shkatërruar plotësisht nga tërmeti. Ata më thanë se nuk kemi asnjë ide se çfarë do të bëjmë, pasi humbëm të vetmen gjë që kishin, shtëpinë e tyre”, thotë Renisa.
Nëna që kujdesej për të gjithë familjen ishte e dërrmuar. Gjatë tërmetit, ajo nuk kishte qenë në gjendje që të nxirrte të gjithë familjarët jashtë shtëpisë, sidoqoftë, ajo nuk mund të ikte dhe t’i linte ata. Ajo u ndje plotësisht e pafuqishme. Ajo rrinte në krevat duke menduar momentin e vdekjes dhe kur gjithçka do të mbaronte. Në fund, ajo i nxori djemtë jashtë, ndërkohë që fqinjët ndihmuan bashkëshortin dhe vjehrrën që të largoheshin. Ajo është shumë e lodhur pasi ka gjithë jetën që kujdeset për familjen e saj, ndërkohë që kjo fatkeqësi ka rënë e tëra mbi të. Ne kërkuam ta bindnim se ajo ishte një heroinë e vërtetë. Ja pra, që në kohëra të tilla ju jeni i pafuqishëm për të thënë diçka. ATSH/