Padia ndaj Dvoranit/ Përse Prokuroria i mori në pyetje dhe më pas shpalli moskompetencën?!

Ka kaluar më tepër se 1 muaj nga kallëzimi penal që Presidenti Meta ka bërë në Prokurorinë e Tiranës , duke e akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”. Por, sot ka ardhur një vendim i papritur nga institucioni i akuzës.
Në një moment që të gjithë prisnin vendimin, se nëse Prokuroria e Tiranës do të niste apo jo hetimet ndaj Dvoranit, që do të përcaktonin edhe fatin e këtij të fundit në krye të KED, akuza shpall moskompetencën.
Prokurori Alket Mersini ka shpallur moskompetencën për shkak të cilësive të veçanta që ka subjekti i kallëzuar, pra kreu i KED-it.
Gjithçka normale, por çudia dhe e papritura është momenti i shpalljes së moskompotencës. I kallëzuari, zoti Dvorani, ka pasur të njëjtën detyrë edhe ditën që u bë kallëzimi dhe akuzat kishin të bënin pikërisht me detyrën e tij.
Por, përse u nevojit që të merreshin fillimisht në pyetje si Meta ashtu edhe Dvorani, të analizoheshin edhe përgjigjet e tyre dhe më pas të shpallësh moskompetencën?
A nuk do të ishte një procedurë më normale shpallja e moskompetencës që në fillim të procedurës?
Ky vendim i papritur, përveçse procedurial, duket se tregon edhe një tërheqje të Prokurorisë së Tiranës, e cila do të paragjykohej nga palët pavarësisht vendimit të saj. Por a është zvarritja dhe moskompetenca zgjidhje?!