Tryezë Rama-Meta-Basha? Presidenti: Ja kur mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare

Brenda dy ditëve në vijim do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Lajmin e bëri të ditur në Top Channel, presidenti Ilir Meta.
Kreu i shtetit tha në studion e OPEN se do të ftojë edhe kryetarin e PD, Lulzim Basha për të dëgjuar propozimet e opozitës lidhur me situatën që po kalon Shqipëria për shkak të koronavirusit.
“Do mbledh pas dy ditësh këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do të ftoj edhe Lulzim Bashën. Qasja do të jetë gjithëpërfshirëse. Duhet të jemi bashkë dhe të mos nxjerrim përfitime politike”, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta është pyetur për një tryezë të përbashkët me të gjithë aktorët politikë në vend për të dhënë një mesazh për qytetarët në këtë periudhë të vështirë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
“Këto mesazhe janë dhënë. Angazhimi i opozitës ka qenë maksimal dhe i të gjithë aktorëve të tjerë. Pa dyshim mund të jetë e nevojshme dhe do të ketë besoj edhe zhvillime të tilla në interes jo thjesht të dhënies së një mesazhi vizual, por për të bërë një vlerësim të situatës ku jemi dhe për të patur një perspektivë më të qartë sipas të gjithë skenarëve qoftë pandemia, qoftë edhe situata ekonomike që ka pasojat e saj”, tha Meta.