“Kërko falje!” Edi Rama i kthen përgjigje Albin Kurtit: Nuk jam në garë me ty, mos e politizo protestën për Çlirimtarët! Vetëvendosje nuk dinte as himnin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së bërë më herët nga Lëvizja Vetëvendosja e cila përmes një postimi publik akuzoi kreun e qeverisë shqiptare se vite më parë ka lobuar për Gjykatën Speciale, ajo që sot po akuzon padrejtësisht ish-krerët e UÇK-së.

Në platformën “X”, kreu i qeverisë shqiptare shkruan se nuk është në asnjë garë me këtë forcë politike dhe se i vjen keq që ajo po i ngatërron marrëdhëniet institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë me fushatën elektorale në vend, të cilës i referohet si “çorbë balotazhesh”.

 “Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se para 10 vitesh unë paskam qenë pro, kurse ajo kundër Gjykatës Speciale,” shkruan Rama, duke theksuar se ndër vite ka denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, në një kohë kur partia e homologut të tij, Albin Kurtit nuk ka bërë asgjë.

Kryeministri kujtoi se 10 vite më parë Vetëvendosja nuk njihte as himnin e Kosovës, ndërkohë që theksoi se Gjykata Speciale u ngrit për hetimin e pretendimeve për trafik organesh dhe jo për të “marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.

“… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, shkruan Rama, teksa më tej njofton se nuk do të jetë i pranishëm në protestë.

Reagimi i plotë i Ramës:

Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.

Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i  protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.

“Kërko falje!” Edi Rama i kthen përgjigje Albin Kurtit:

Back to top button
LAJMET E FUNDIT