Ku ndodhej vëllai i ministrit? Prova që publikohet për herë të parë

HARTA/ Dosja “Babale”, analiza e qelizave telefonike: Ja itenerari i lëvizjes së Geron Xhafajt dhe Albert Veliut ditën që pretendohet se u zhvillua “audio-regjistrimi”. Publikohen për herë të parë provat shkencore

 

Analizimi i qelizave telefonike (logimi i telefonit celular personal në antenat përgjatë territorit të vendit), bën pjesë ndër provat më të forta shkencore pasi është thuajse i pamundur manipulimi dhe shkon përtej çdo fakti.

“Dita” ka publikuar sot hartën e intenerarit të ndjekur nga njëra anë e shtetasve Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi, si dhe nga ana tjetër nga shtetasi Agron Xhafaj më 24 tetor 2017, në ditën kur pretendohet nga “selia blu” se është kryer audio-regjistrimi “Babale”.

Për herë të parë në publik po përcjellim grafikun e lëvizjes ku me ngjyrë blu është shënjuar lëvizja e Agron Xhafajt dhe me ngjyrë portokalli lëvizja e shtetasve Jetmir Ooldashi dhe Albert Veliu, i njohur tashmë si “Babalja”.

Ky i fundit, në deklarimin e tij në prokurori, në një nga versionet që ka paraqitur para organit të akuzës, ka pretenduar se takimi në momentin që është bërë “audio-regjistrimi” është zhvilluar në orën 17:30 te lokali Agron Xhafajt në Vlorë.

Ndërkohë, referuar të dhënave që konkludojnë nga analizimi i qelizave telefonike, po në këtë orë, ai dhe gazetari Jetmir Olldashi janë duke udhëtuar nga Vlora për në kryeqytet, ku pikërisht në atë orë lokalizimi i tyre rezulton në unazën e madhe të Tiranës.

Po në këtë kohë, siç mund të shihet edhe nga grafiku, Agron Xhafaj gjendet në Lushnjë, çka hedh poshtë versionin e parë të deklaruar nga “Babalja”.

Ndërkohë, nga ana tjetër avokatët e ish deputetit Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, kanë dëshmuar një version të ri.

Ata kanë pretenduar se takimi mes tyre është zhvilluar në orarin 12:30 – 13:45 po te lokali i Agronit në qytetin e Vlorës.

Ky version rrëzohet lehtësisht po nga analizimi i qelizave telefonike ku celularët e gazetarit Olldashi dhe denoncuesit “Babale”, në atë fashë orari janë loguar larg zonës ku pretendohet.

Siç mund të vërtetohet nga grafiku, përkatësisht në orën 12:46 ata gjenden në Orikum, ndërsa në orën 13:47 kanë mbërritur te Marina në Lungomare dhe në orën 14:22 gjenden në Mifol, në dalje të qytetit të Vlorës.

Nga ana tjetër, po qelizat telefonike vërtetojnë se shtetasi Agron Xhafaj, në orën 12:45 gjendet në qytetin e Vlorës, në orën 13:45 gjendet në dalje të qytetit dhe në orën 14:27 antenat e telefonit e lokalizojnë në qytetin e Fierit, përkatësisht të paktën 40 km larg nga vendtakimi i pretenduar nga ish deputeti Ervin Salianji.

Nga i gjithë analizimi i të dhënave, rezulton se shtetasit Agron Xhafaj dhe Alber Veliu kanë qenë në distance të largëta në harkun kohor kur pretendohet nga “selia blu”, duke rrëzuar të gjitha deklaratat e ish ligjvënësit Ervin Salianji dhe kryedemokratit Lulzim Basha të cilët kanë thënë se më 24 tetor këta dy shtetas janë takuar.

Më poshtë po pasqyrojmë edhe grafikun e plotë me skemën e lëvizjes për secilin nga personat:

Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi, 24 tetor 2017, itinerari Tiranë – Vlorë – Tiranë

Itineraret e A.Xhafaj dhe A.Veliu 24 tetor 2017, vendndodhja në orarin 11.00 me 17.00

 

 

*****

– Ky shënim është pjesë e një investigimi që ka nisur të publikohet sot nga DITA, mbi të ashtuquajturën “dosja Babale”, një nga mashtrimet publike më të rënda të viteve të fundit. Pjesa e parë mund të lexohet duke klikuar KËTU.

– Nesër VIJON: Bisedat e përgjuara telefonike mes Albert Veliut (Babales) dhe personit që imitori zërin e vëllait të ministrit në “audio-përgjim”: “Duro e mos trego, mendo për fëmijët e mi Fredi”

– Publikohen për herë të parë procesverbalet e tabulateve  nga azili në Kosovë: “Fola me Erin (Salianjin) dhe s’e ka gati qindshen që premtoi. Po gënjen si Luli shoqja jote, do t’i q*het motra po s’i solli….”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT