“Virusi kishte një javë që kishte hyrë, kongresi i Ramës dhe manifestimi i Metës kanë përhapur në masë Covid 19”

Endri Shabani një aktivist i shoqërisë civile ka bërë një vështrim historik të pandemive që kanë vrarë miliona njerëz në botë dhe u bashkohet atyre që mendojnë se Covid do vrasë shumë njerëz në të ardhmen e afërt nëse vijon të neglizhohet.

Shabani ka edhe një pjesë në analizën e tij botuar në faqen online Lapsi, ku akuzon Ramën, Berishën dhe Metën se kanë shtuar infektimet me kongresin e PS dhe manifestimin për kushtetutën.

Shkruan Shabani:

“Nga pikëpamja sociale, ne i përkasim një kulture mesdhetare, ku kontaktet fizike i kemi të afërta. Ne japim dorën, ne puthemi në dy faqe, ne qëndrojmë shumë afër njëri tjetrit kur flasim dhe ne e kemi për turp t’i themi tjetrit që po ruajmë veten, pasi perceptohemi si “frikacak” apo “egoist”. Në përgjithësi kjo kulturë është e mirë për shëndetin mendor, por kur vjen puna tek përhapja e virusit, bëhet e vështirë që njerëzit të tejkalojnë zakone të trashëguara brez pas brezi.

Që kjo të ndodhë duhet që frika të jetë shumë e madhe dhe që konsensusi social të jetë shumë i gjërë. Por të dyja këto rrezikohen nga një virus tjetër social: vetëbesimi i tepruar.

Ky vetëbesim i tepruar fillon me politikanët tanë, të cilët e morën me nge çështjen e virusit. Me parimin “virusi pret, partia s’pret”, kryeministri Rama e injoroi situatën në Italinë fqinje, dhe organizoi kongresin disa ditor të partisë së tij, megjithëse (siç po mësojmë tani) kishte paktën një javë që virusi kishte hyrë në Shqipëri. Për të mos mbetur mbrapa, presidenti Meta organizoi një manifestim masiv, për pjesëmarrjen në të cilin u angazhuan ish kryeministri Berisha dhe kryetari i opozitës Basha. Pra, ashtu siç kanë bërë për 30 vite, ata që janë në krye të elitës politike, vendosën në rrezik shëndetin e një populli të tërë vetëm për axhendat e veta politike.

Por ndryshe nga herët e tjera ku pasojat i paguajmë vetëm ne, këtë herë duket se as ata nuk janë të mbrojtur, pasi në skenën botërore ky virus ka shpalosur një sens të paparë ironie. E nisi me zëvendës ministrin e shëndetësisë së Iranit, i cili dilte nëpër media për të treguar se qeveria e kishte situatën në kontroll. Vazhdoi me Italinë fqinje, ku kryetari i një partie në Firenze u sëmur pikërisht në festën që organizoi për të kundërshtuar “masat e panevojshme” të qeverisë ndaj pandemisë. Apo në SHBA ku zuri pikërisht kongresmenin që ankohej se kongresi po shpenzonte shumë para për këtë sëmundje, ndërkohë që numri i prekurve ishte i vogël. 

Të shohim se si do sillet me ‘cubat’ e politikës shqiptare, të cilët, për më tepër kanë probleme respiratore….”

*****

Shkrimi mund të lexohet duke klikuar KËTU

Back to top button
LAJMET E FUNDIT