“Gjykata pezullon vendimet e ‘Vlora Airport’: Pacolli dhe bashkëpunëtorët nën hetim për mashtrim e falsifikim dokumentesh”

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu, në bazë të vendimit që gazeta ‘TemA’ e disponon, pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka nisur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.
Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Shtetasi Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës, i cili dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.