Rrezikoi mbytjen e 11 emigrantëve në afërsi të Sazanit, arrestohet afgani

Policia Kufitare e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë pranë ishullit të Sazanit, ku 11 emigrantë nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin teksa lundronin me një gomone.

Në vijim të hetimeve të kryera, policia arrestoi organizatorin e transportimit të emigrantëve drejt Italisë.

Në pranga ka rënë shtetasi M. E., 43 vjeç, me origjinë nga Afganistani, i cili akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

43-vjeçari kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të 10 shtetasve të huaj, me qëllim transportimin e tyre më pas drejt Italisë.

Mësohet se gomonen ai e kishte marrë në zonën e Semanit, në Fier, në një vendndodhje që i ishte dërguar si lokacion nga një shtetas shqiptar, i cili ende nuk është identifikuar. Policia vijon punën për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të përfshirë në këtë veprimtari.

Ndërkohë, 10 emigrantët e tjerë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti janë proceduar penalisht për veprën “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Nga veprimet hetimore rezulton se 43-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin shqiptar ende të paidentifikuar, kishte organizuar kalimin e emigrantëve përmes kufirit greko-shqiptar dhe më pas planifikonte t’i transportonte me gomone drejt brigjeve italiane.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT