Drejtoresha e Tatimeve: Koronavirusi ka ulur të ardhurat e Shtetit deri 30 %. Ende asnjë masë mbështetje për biznesin e madh

Drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj tha në Report TV se situata e krijuar nga koronavirusi po ndjehet në ekonominë shqiptare. Ajo tha se aktualisht janë ulur të ardhurat mujore të shtetit nga 20 deri 30%, ndërsa nuk është menduar ndonjë masa mbrojtëse për biznesin e madh.
Ibrahimaj ka sqaruar se si do të veprohet me ata persona që do të përfitojnë pagën në fund të muajit në formë nidhme nga Shteti: bëhet fjalë gjithmonë për biznese deri 14 milione leke te ardhura që për shkak te koronavirusit e kanë ndërprerë aktivitetin. Gjithçka do të bëhet nga pronarët që duhet të plotësojnë llogaritë e të punësuarve, dhe paga kalon direkt në llogarinë bankare.
“Që nga dalja e vendimit, DPT ka bërë një rregullore në mënyrë që verifikimi i tatimpaguesve dhe i të punësuarve të bëhet në mënyrë automatike. Për këtë arsye tek “e-filing” po zhvillojmë një pyetësor, që do të jetë aty i parambushur automatikisht për bizneset dhe subjektet do të mbushin ato me listëpagesat. Ato biznese që janë me xhiro nga 5 deri në 14 milionë do të mbushin listëpagesat deri në janar. E vetmja e dhënë që duhet të plotësojnë janë llogaritë e të punësuarve. Tregoni kujdes me plotësimin e të dhënave sepse mund të demtoni të punësuarit ne se vendosni IBAN te gabuar”, sqaron Drejtoresha e Tatimeve.
Kategoria që nuk do të marrë asgjë janë të punësuarit informalë, fakt i pranuar edhe nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, e cila tha për Report TV se është e pamundur të identifikosh punonjësit informalë. “Një pjesë e të punësuarve në të zezë do të mbështeten nga ndihma sociale apo pagesa e papunësisë, por është e pamundur të identifikojmë ata që punojnë në të zezë. Iu bëj thirrje atyre që punojnë në të zezë të deklarojnë dhe të denoncojnë nëse punojnë në të zezë, pasi vetëm të punësuarit formalë do të përfitojnë”, u shpreh Ibrahimaj.
Po ashtu drejtoresha i është përgjigjur edhe shqetësimit të biznesit të madh nëse do të përfitojë edhe ata nga masat lehtësuese, duke thënë se ende nuk ka një vendimmarrje për këtë kategori.
“Është një grup teknik që po vlerëson situatën, dhe është duke menduar se çdo do të ndodhë nëse situata përkeqësohet. Por ende nuk ka vendimmarrje”, theksoi ndër të tjera.
Ibrahimaj ka sqaruar se nuk do të ketë shtyrje për pagimin e detyrimeve si të TVSH-së apo edhe të sigurimeve shoqërore, brenda datës 31 mars të dorëzohet deklarata e tatim fitimit,që edhe duhet të paguhet, ndërsa për dorëzimin e bilanceve gjithë bizneset kanë kohë deri në fund të korrikut. Ibrahimaj ka sqaruar se bilancet duhet të dorëzohen brenda muajit korrik dhe kjo është e mundur pasi këto bilance duhet të ishin mbyllur deri më datë 10 mars kur ka filluar edhe situata. “Duhet të kuptojmë që situata ka filluar në 10 mars dhe të gjitha bizneset e mëdha kanë stafe për pasqyrat dhe ne mendojmë se këto i kanë mbyllur para 10 marsit. Përgjigjja e pasqyrave financiare do të nxirrte edhe fitimin e vërtetë. ”, u shpreh Ibrahimaj.