Donald Trump, nga presidenti që lakmonte paqen në “komandantin” e bombardimeve! Pa u tharë boja e vulës në Bordin e Paqes, shpërthen lufta dhe pezullohen punimet e nismës

Më 19 shkurt, dy javë në parë, në Washington u mbajt takimi i parë i Bordit të Paqes, një nismë e krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump, me qëllimin për të zgjidhur krizat dhe konfliktet botërore.

Në këtë tryezë të nivelit të lartë, mes liderëve të disa vendeve të botës, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përfaqësoi vendin në diskutimet për paqen dhe stabilitetin global.

Bordi i Paqes u krijua pas armëpushimit të arritur vitin e kaluar në Gaza, si një përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë ndryshuar rrjedhën e kësaj iniciative.

Së fundmi Indonezia ka njoftuar se të gjitha diskutimet në kuadër të Bordit të Paqes janë pezulluar për shkak të luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin. Ministri i jashtëm, indonezian, Sugiono, deklaroi pas një darke zyrtare me presidentin Subianto se “e gjithë vëmendja është zhvendosur te situata në Iran”. Ai shtoi se vendi i tij do të konsultohet me partnerët në Gjirin Persik, pasi edhe ata ndodhen nën kërcënim të drejtpërdrejtë nga përshkallëzimi i konfliktit.

Indonezia është ndër vendet e pakta që ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare të Stabizilimit të krijuar rishtazi në Gaza. Por, pas sulmeve ndaj Iranit, Këshilli i Ulemasë Indonezian, organi më i lartë i dijetarëve islamikë në vend, i bëri thirrje qeverisë të tërhiqet nga Bordi i Paqes, duke reflektuar presionin në rritje të brendshëm dhe rajonal.

Nga ana tjetër, Teherani zyrtar ka përjashtuar çdo mundësi negociatash me Uashingtonin. Mohammad Mokhber, një ndihmës i lartë i ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei, deklaroi për televizionin shtetëror se Irani “nuk ka besim tek amerikanët dhe nuk ka asnjë bazë për negociata me ta”, duke shtuar se vendi është i gatshëm ta vazhdojë luftën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Përshkallëzimi i fundit ka rritur frikën dhe ankthin në mbarë botën, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e nismave diplomatike që synojnë paqen. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump kishte paralajmëruar votuesit se kundërshtarja e tij, Kamala Harris, “do t’i çonte në luftë”, ndërsa ai vetë premtonte të ishte “presidenti i paqes”. Madje, ai kishte shprehur ambicien për të fituar edhe Çmimin Nobel për Paqen.

Por zhvillimet e fundit tregojnë një realitet krejt tjetër. Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij është përfshirë në një seri sulmesh ajrore dhe goditjesh të synuara ndaj vendeve të huaja, duke e shndërruar presidencën e tij në një nga më të përfolurat, sa i përket angazhimeve ushtarake.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT