“Duam një burg me qira, merrni të burgosurit tuaj nga Belgjika e të ndajmë asetet e krimit”, DY MINISTRE belge me mision në Tiranë për 3 KËRKESA

Belgjika po sheh mundësinë e ndërtimit të një burgu për ta marrë me qira, jashtë territorit të vet, për shkak të mbipopullimit të burgjeve belge. Ideja e Melonit duket se tani po përhapet edhe në vende të tjera të Europës, por tanimë, jo vetëm me shtetas të vendeve të treta por edhe për të dërguar me qira të burgosurit.
Jo vetëm kaq, por Belgjika kërkon nga Shqipëria që për asetet e sekuestruara nga krimi në Shqipëri, që ka të bëjnë me pasuri të vendosura nga individë që kanë kryer aktivitetin e tyre kriminal në Belgjikë, të bëhet ndarja e aseteve – pra dhe Belgjika të përfitojë para nga shitja e tyre, duke argumentuar se aktiviteti kriminal është kryer në Belgjikë dhe aty janë marrë paratë.
Një tjetër ide për shkak të mbipopullimit të burgjeve Belge, është se Shqipëria duhet të marrë në vend, 307 shqiptarët që kryejnë dënimin në shtetin belg, ndërkohë që 253 prej tyre nuk kanë të drejtë qëndrimi në vend.
Dy ministre të qeverisë Belge, ajo e drejtësisë Annelies Verlinden dhe ministrja e Azilit Anneleen Van Bossuyt nisën ditën e sotme një mision diplomatik tre ditor në Shqipëri dhe Kosovë për të diskutuar këto çështje, raportojnë mediat në Belgjikë.
Pa shumë bujë, dy zonjat ministre do të vijnë me tre kërkesa përballë qeverisë shqiptare për të arritur ndonjë prej tyre.
Më parë Shqipëria ka pasur marrëveshje me Anglinë për sistemin e burgjeve dhe për të marrë shqiptarët prej andej, por kjo u shoqërua me një marrëveshje të fortë financiare që i shërbente vendit.
“Për të lehtësuar mbipopullimin kronik në burgjet belge, qeveria po shqyrton mundësine e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për shtetasit e huaj të dënuar që nuk janë rezidentë. Ministret do të zhvillojnë biseda eksploruese gjatë vizitës në Shqipëri dhe kosovë për këtë ide” shkruajnë mediat belge.
Lidhur me marrjen e të dënuarve shqiptarë ministrja Verlinden deklaroi për mediat: Nëse ata që janë dënuar këtu dhe nuk kanë të drejtë qëndrimi në Belgjikë mund të vuajnë denimin në vendin e tyre të origjinës, kjo do të thotë se dënimi zbatohet sic duhet, ndërkohë që lehtësohet edhe presioni mbi sistemin tonë penitenciar”.
Verlinden tha se Kosova del gjithmonë e më shpesh në dosjet penale belge si një qendër për pastrim parash, trafik njerëzor dhe kontrabandë armësh. Ndërsa Shqipëria mbetet një partnere kyce në luftën kundër trafkut të drogës, rrjetet kriminale shqiptare vazhdojnë të jënë aktive në portin e Antëerpit.
“Ballkani perëndimor është tashmë një rajon kyc në luftën tonë kundër krimit të organizuar. Dua, të ndërtojmë besimin e ndërsjelltë të forcuar ngushtë vitet e fundit”, tha Verlinden.