“Çdo vendim ndeshet me presion”/ Reagon ashpër avokati Cakrani: Gjyqtarët i shantazhon Rama nga mëngjesi në darkë

Avokati Kujtim Cakrani, i ftuar në një studio televizive, ka komentuar gjatë situatën e rëndë të drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar sistemin gjyqësor si të paaftë dhe të politizuar.

Ai theksoi se qytetarët nuk marrin drejtësi për pronat e tyre, ndërkohë që gjyqtarët përballen me presione të vazhdueshme nga qeveria dhe shantazhe të drejtpërdrejta nga politika.

“Problemi nuk janë qytetarët apo një individ i vetëm, por vetë sistemi,” tha Cakrani. “Asnjë qytetar nuk merr drejtësi në kohë dhe hapësirë, ndërsa gjyqtarët që përpiqen të bëjnë drejtësi shantazhohen çdo ditë. Administrata e korruptuar dhe e paaftë shkakton viktima të shumta, duke i drejtuar njerëzit drejt gjykatave pa mundësi për zgjidhje reale.”

Ai shtoi se situata ka krijuar një klimë frike mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke dobësuar sigurinë juridike dhe duke e bërë të pamundur që qytetarët të kenë besim në sistemin e drejtësisë.
Komentet e tij vijnë në një moment kritik, ku shumë çështje pronësie mbeten të pazgjidhura për vite me radhë, duke theksuar nevojën urgjente për reforma dhe mbrojtje të pavarësisë së gjyqtarëve.

Kujtim Cakrani:

“Këta të gjithë tashmë u munduan që këtë ngjarje, këtë situatë ku jemi, ta kalonin një fatkeqësi, një rojë të detektivit në gjykatë, sikur ai ishte problemi.

Në fakt, problemi është vetë sistemi i drejtësisë. Janë vetë gjyqtarët që nga ajo e Gjykatës së Lartë, që dje kërkonin të merrnin masa ndaj gjyqtarëve dhe nuk kërkonin fare që gjykata të funksionojë. Nuk i interesonte qeverisë që të shtonte numrin e gjyqtarëve apo të riorganizonte proceset gjyqësore, që njerëzit të merrnin drejtësi në kohë dhe hapësirë.

Nuk i interesonte atij infrastruktura në gjykata. Pra, e kuptoni tani që këta, edhe në këtë moment aq të rëndësishëm, ku i gjithë vullneti i qytetarëve po shfrytëzohet mbi gjyqtarët, kanë të drejtë sepse sot në gjykatën shqiptare për pronat askush nuk merr drejtësi.

Askujt nuk i kthehet prona dhe nga mbi 10 vite apo 12 vite që gjykata shqiptare nuk bën kurrë cekanin në favor të atij që ka të drejtën e pronës. Kjo është një situatë e krijuar jo nga qytetarët, por nga gjyqtarët që shantazhohen nga politika, sepse janë ata gjyqtarë që i shantazhon Rama nga mëngjesi në darkë. Tashmë janë strukuar aty dhe kanë frikë.

Një gjyqtar që bën drejtësi, nuk ka asnjë arsye të ruhet apo të ketë frikë, dhe për këtë kam bindjen time. Sepse edhe ne avokatët jemi të ekspozuar ndaj kërcënimeve, fyerjeve, dhe madje edhe dhunës, nëse dëshiron.

Zotin Kalanë e kanë nxjerrë në pritë kolegët e tij me ato vendimet e tyre 20-vjeçare të proceseve që nisën nga gjykata në Shkodër.

E nxorri në pritë Edi Rama, padyshim e nxorri ky sepse bashkë me qeverinë e tij shantazhoi çdo ditë gjyqtarët dhe prokurorët, dhe këtë gjë e dimë, s’ka nevojë që të rikthehemi te këto tema. Vetëm për një muaj shantazhoi 4 gjyqtarë. Si mundet që ai gjyqtar të japë drejtësi, kur në mënyrë permanente gjyqtarët shantazhohen nga Kryeministri?

Plus, administrata që është gjithashtu e paaftë dhe e korruptuar shkakton çdo ditë viktima. Viktima, sa i përket mbivendosjes së pronave, nuk marrin zgjidhje, i çojnë nëpër gjykata. Këto janë problematika, e mos flasim pastaj për sigurinë juridike, ku asnjëri prej atyre gjyqtarëve që pamë dje nuk ka idenë se çfarë është ajo”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT