Kreu i NATO-s: Baza në Kuçovë, më shumë siguri për gjithë rajonin

“Baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë do të krijojë më tepër siguri për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit”, tha kreu i Aleancës Euroatlanike Ushtarake, Jens Stoltenberg gjatë konferencës për shtyp, pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Bruksel.
“NATO dhe Shqipëria kanë punuar mjaft mirë së bashku. Kjo është e rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët, po kështu është edhe e rëndësishme për NATO-n që të investojë në infrastrukturë. Kam përmendur investimin e planifikuar të NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës. Është një investim domethënës, kemi vendosur që ta bëjmë këtë dhe po nxitim që ta realizojmë, të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Pra, ky është një investim për përmirësimin për këtë bazë ajrore, të pistës atje, furnizimin me karburant gjithashtu dhe mund të jetë një bazë shumë e rëndësishme, që përfshin policimin nga ajri, trajnimin që do të vijë nga një bazë e modernizuar në Shqipëri. Është mirë jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin”, deklaroi Stoltenberg.

Sa i përket anëtarësimit në Aleancë të Maqedonisë së Veriut, ai theksoi se ka një proces që duhet të ketë një ratifikim të marrëveshjes së 29 shteteve anëtare. “Por shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt, pasi edhe vetë NATO është pak e zhgënjyer nga stopimi i këtij procesi, ku vetë Shqipëria u anëtarësua 11 vite më parë”, tha Stoltenberg.
Kërcënimet nga Irani, Rama: Do të mbështesim muxhahedinët
Kryeministri Edi Rama është pyetur edhe në lidhje me kërcënimet e fundit të lëshuara nga Irani dhe për vendimin e marrë për dëbimin e diplomatëve iranianë nga Tirana zyrtare dhe sa e rrezikuar është Shqipëria si anëtare e NATO-s. Shefi i qeverisë shqiptare bëri të ditur se do të vazhdojë të mbështesë muxhahedinët, duke sjellë shembullin se Shqipëria ka mbrojtur edhe hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botëore.
“Shqipëria ka ofruar që t’u japë strehë shumë njerëzve, jeta e të cilëve është kërcënuar nga regjimi i Teheranit. Edhe gjatë kohës së Holokaustit, Shqipëria ishte e vetmja shtëpi e hebrenjve. E kemi bërë si një operacion humanitar dhe një deklaratë kundër regjimit dhe nuk do ta ndryshojmë qëndrimin tonë. Për aktivitetet e tyre keqbërëse në Shqipëri ne kemi dëbuar ambasadorin e tyre të parë dhe së fundmi edhe njerëz të tjerë të përfshirë në aktivitete të tjera që janë jashtë aktivitetit të rregulluar të misioneve diplomatike. Do vijojmë të qëndrojmë fort në këtë rrugë. Nuk jemi të vetëm. Jemi pjesë e një aleance më të madhe dhe ky është një operacion që është zhvilluar krah për krah me SHBA-të”, tha Rama.

Dialogu Kosovë-Serbi, Rama vlerëson rolin e Stoltenberg
Kryeministri Edi Rama ka komentuar rivendosjen e linjës Prishtinë-Beograd si një hap të rëndësishëm, ndërsa falenderoi NATO-n për mbështetje.
“Ju falënderoj zoti Stolenberg që keni qenë kaq shumë mbështetës për ne dhe në rajonin. Mbështetët për rivendosjen e linjës Prishtinë-Beograd që është një hap i rëndësishëm dhe duhet të ndiqet nga të tjerët. Duhet të ndiqet për procesin e zhvillimit rajonal dhe ndërshtetëror. E konsiderojmë NATO-n si një pjesë të rëndësishme në OSBE dhe faktor për ta bërë të suksesshëm në jetët tona”, theksoi Rama.
Sipas shefit të NATO-s “dialogu Kosovë-Serbi është vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje politike të gjatë dhe të qëndrueshme të konfliktit”. “E mbështesim dialogun, jo vetëm me mbështetjen tonë politike, por duke nisur që të zgjidhim një çështje që ka të bëjë me hapësirën ajrore në Kosovë. Është një ekip i NATO-s i angazhuar për të hapur hapësirën ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit”, theksoi Stoletenberg.
Kryeministri Rama e zhvilloi këtë takim si kryesuesi i radhës së OSBE dhe në fokusin e bisedimeve ka qenë edhe situata në Ukrainë dhe zonat e tensionit në pjesën e Krimesë. Shefi NATO-s u shpreh se mbështet përpjekjet e Ramës për zgjidhjen e kësaj situate, por theksoi se ka rëndësi të madhe që dronët ushtarakë që vihen në lëvizje atje, të mos sulmohen në zonën e sigurisë. Bashkëpunimi mes NATO-s dhe OSBE cilësohet si shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e këtij konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës.