BKH mësyn në zyrat e një prej biznesmenëve të mëdhenj shqiptarë, oficerët ndalojnë në zyrat dhe banesat tek ETC

Byroja Kombëtare e Hetimit është duke zhvilluar një operacion ditën e sotme tek një prej biznesmenëve më me emër në Shqipëri. Në zyrat e ETC dhe banesën në pronësi të biznesmenit Artan Dulaku kanë mbërritur për kontrolle oficerët e BKH, me urdhër të prokurorit të SPAK dhe pavarësisht se nuk ka njoftim zyrtar deri tani, mësohet se ka lidhje me investimin në portin e Limionit të Sarandës.

Tre vite më parë SPAK vendosi në sekuestro preventive bazën e Limionit të Sarandës, duke penguar kompaninë që të investonte aty deri në përfundim të hetimeve.

Në vitin 2020 qeveria i hapi rrugë kompanisë EdilAl të biznesmenit Dulaku për ndërtimin e këtij porti me një koncesion 20 vjeçar.

Por puna nuk u duk aq e qetë. Ish-zv.komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari në vitin 2021, kur ai denoncoi vendimin e qeverisë që i jepte të drejtë kompanisë në korrik 2020 qe baza detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme 265 mijë metra katrorë të jepej me qira për 20 vite me tarifën simbolike 1 euro me qëllim ndërtimin e një porti të jahteve dhe resort turistik. Brenda kësaj sipërfaqe është një pjesë (rreth 40,000 m²) që është pronë e bazës detare, në përdorim të Forcës Detare, dhe kjo pjesë u përfshi në akuzat për shkelje ligjore.

Muçollari pretendoi se procedura duhet të ndiqej nga Shtabi i Përgjithshëm, Ministria e Mbrojtjes dhe nga presidenti i Republikës.

Ora Neës raporton se gjithcka ka ndodhur pas një video 5 orëshe që është sekuestruar nga BKH dhe ku gjeneralët e ushtrisë shqiptare janë “përgjuar” teksa diskutojnë në një mbledhje për fatin e portit të Limionit  dhe mënyrën e shkarkimit të Admiralit Artur Meçollari. Ka qenë avokat Arben Llangozi që ka dorëzuar cd në spak. Pas zbardhjes së këtij materiali dhe sqarimeve të avokatit, duket se SPAK që kishte vite që e kishte lënë në heshtje cështjen dhe pronën atje të pezulluar, është vënë serish në lëvizje.

Në shkurt 2023, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive të bazës detare të Limionit, me argumentin se privatizimi mund të cënojë operacionalitetin e forcave detare.

Ky vendim u konfirmua nga Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë, që refuzuan heqjen e sekuestros së kërkuar nga kompania përfituese.

Kompania koncesionare “Marina Bay Saranda” kërkoi që sekuestro të hiqet përpara përfundimit të hetimeve, dhe shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese me këtë kërkesë.

Në nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për heqjen e sekuestros që kompania kishte paraqitur, duke lënë në fuqi sekuestron deri në përfundim të hetimeve nga SPAK.

Dosjet po ndiqen nën numrat 108/2021 dhe 109/2021 dhe në shkresën e fundit, prokuroria thotë se është bërë një numër i madh veprimesh hetimore, por për shkak të natyrës komplekse të çështjes ende “duhet të kryhen një seri veprimesh të tjera” për t’i çuar përpara.

Dhe sot duket se BKH ka ndërmarrë kontrolle të imtësishme në zyrat kryesore në Tiranë të biznesmenit Artan Dulaku, por edhe në banesën e tij te ETC.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT