Call center në udhëkryq, rrezikohen 25 mijë vende pune

Marrëveshja që 13 sipërmarrje të mëdha italiane firmosën përmes një protokolli mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda, në të cilën u angazhuan që 95% të shërbimeve aktuale të kalojnë gradualisht në Itali, si dhe të paktën 80% e vëllimeve outsourcing për kontratat e reja të kryhen në territorin italian, rrezikon vendin e punës të 20 mijë të rinjve të punësuar në Call Center. Përfaqësues të bizneseve call center në Shqipëri janë të paqartë në lidhje me të ardhmen e bizneseve të tyre. Mbyllja e kontratave të shërbimit për një periudhë gjashtëmujore duket se do të ketë efekte në vendin tonë. Të kontaktuar nga Konica.al, të paktën tri prej kompanive me numër më të madh të punësuarish në këtë shërbim në vendin tonë shprehen se nuk kanë asnjë mundësi për mbrojtjen e investimit të tyre në vendin tonë. Marrëveshja e nënshkuar në Itali javën e shkuar nuk u lë thuajse asnjë hapërisë për të vijuar punën.

Marrëveshja

13 kompani të mëdha kanë firmosur sot një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda. Kjo marrëveshje parashikon që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e të reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”, raportoi Il Sole 24 ore javën e shkuar. Janë 13 kompani që janë angazhuar në këtë marrëveshje. Këto subjekte, tha Calenda, përbëjnë 65% të sektorit përsa i përket xhiros: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia. Kjo marrëveshje vjen pasi qeveria italian mori disa masa në ligjin e buxhetit për të vështirësuar delokalizimin e shërbimit call center dhe që hynë në fuqi në 1 prill.

Kohëzgjatja e protokollit është 18 muaj dhe pas një viti do të ketë verifikim. Ndër pikat kyçe të protokollit të call center që është firmosur sot nënvizohet fakti se do të kufizohet delokalizimi i këtyre kompanive, sipas kushtit që 80% e aktivitetit të realizohet në Itali.

Muçostepa: Vendimi i Italisë, i pritshëm

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, në një prononcim të shkurtët për Konica.al shprehet se është në dijeni të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në Itali mes presidentit të këtij vendi, ministrit të Ekonomisë dhe 13 kompanive. Ajo shprehet se ky ishte një vendim i pritshëm. Ndërsa në lidhje me “fatin” e kompanive call center që operojnë në vendin tonë nuk ka ende një “përkufizim” të saktë.“ Jam në dijeni të marrëveshjes, ishte e pritshme”-u shpreh Muçostepa. Më herët, Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, në kohën që qeveria italiane vendosi të detyrojë kompanitë call center të deklaronin vendit nga telefonini, është shprehur se ky vendimi i Italisë për Call Center-at është një kontrast me marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve. “Ky ligj ka një kontrast të vogël, le të themi, dhe me marrëveshjet e ndryshme bilaterale të lidhura me gjithë këto vite me Italinë. Italia na ka mbështetur më fort dhe në këtë moment unë do të doja të kujtoja traktatin e miqësisë p.sh. të bashkëpunimit mes dy vendeve tona që ka hyrë në fuqi në vitin 2000. Do të doja të kujtoja protokollin bilateral të bashkëpunimit për zhvillim me të cilin Shqipëria ka marrë një fond prej 81 mln euro për zhvillimin ekonomik”- ka thënë Muçostepa.

Bizneset call-center, aktiviteti “i rrezikuar”

Përfaqësues të call center që operojnë në vendin tonë, shprehen të shqetësuar në lidhje me vendimin e fundit që ka pasoja të drejtpërdrejta mbi bizneset e tyre. Mbylla e rrugës për lidhjen e kontratave duket se do çojë automatikisht ose në mbyllje të bizneseve ose në transferim të kapitaleve drejt Italisë. Në të dyja rastet goditjen më të fortë do ta marrë punësimi në vend. Pa u identifikuar për shkak të impaktit të fortë që ka mbyllja e mundshme e call centerve, përfaqësues të biznesit pohojnë se ministritë e linjës duhej të ishin treguar me të kujdesshme për mbrojtjen e 25 mijë vendeve punë në vendin tonë. “Oferta” që shteti Italian po u bën bizneseve të call center përmes subvenciomit duket se do të ketë efekte direkte në ekonominë shqiptare.

Vendimi i 1 prillit “për delokalizimin”

Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center. Vendimi i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, që hyri në fuqi në 1 prill dhe u la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj. Efektet e këtij vendimi u duk se nuk do të kishin efekte të ndjeshme për call centerat në Shqipëri, pasi deklarimi i vendit nga telefonohej nuk pengonte bizneset të operonin në vendin tonë. Mësohet se ka dy lloje biznesesh të lidhura me këtë fushë. Së pari, janë operatorët direkt call center (që punësojnë të rinjtë me njohuri të gjuhës italiane) dhe që zhvendosin fizikisht aktivitetin, kryesisht në Shqipëri, dhe së dyti janë sipërmarrjet e tjera, që operojnë në Itali, por u japin punë operatorëve call center (p.sh. kompanitë e telekomunikacioneve, televizionet, të internetit etj.). Tek këto të dytat duket se e ka përqendruar vëmendjen qeveria e shtetit fqinj dhe tashmë ua ka marrë me shkrim premtimin që të mos sjellin më punë në Shqipëri. Aktorët e tregut pohojnë se edhe 20% i mbetur pritet të shkojë në Rumani.

Call center, 800 kompani dhe 25 mijë të punësuar

Në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Por, të dhënat e punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se janë 6-7 kompani kryesore, që kanë së bashku rreth 10 mijë të punësuar. Sipërmarrjet e mëdha vlerësohet se do të arrijnë t’i bëjnë ballë presionit italian dhe do të diversifikohen, ndërsa më të vështirë do ta kenë të voglat. Call center ishte një biznes që lulëzoi në Shqipëri 10 vitet e fundit, për disa arsye. Së pari, kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe së dyti, njohja e mirë e gjuhës italiane. Së treti, ky është një biznes që ka kosto minimale, me koston minimale për hapjen e një vendi pune prej 500-700 euro (mund të hapet edhe me 10 mijë euro, me 20 të punësuar). Ambientet merren me qira, blihen kompjuterët dhe mjafton një kontratë me një operator italian (telekomunikacion, internet etj.) për të filluar aktivitetin. Por, aq kollaj sa hapen, po aq e lehtë është edhe të mbyllen, në momentin që nga pala italiane nuk u rinovohet kontrata.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT