Preshevë, projekt prej 3000 m² për memorialin e UÇPMB-së
PRESHEVË – Banorët e fshatit Oraovicë afër Preshevës po ndërtojnë kompleks memorial për tetë dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇPMB), të cilët janë vrarë në maj të vitit 2001.
Siç bën të ditur ORAinfo, kompleksi do të shtrihet në një hapësirë prej rreth 3000 metrash katrorë, kurse parashikohet që kostoja totale të jetë 100 mijë euro. Guri i themelit të kompleksit memorial është vendosur në Gurishte pas fshatit Oraovicë.
Në këtë vend, çdo 15 maj, që nga viti 2002 shënohet përvjetori i betejës më të madhe, që ka zhvilluar UÇPMB-ja kundër forcave policore dhe paramilitare serbe nga tetori i vitit 2000 deri në fund të majit të vitit 2001.
“Pa marrë parasysh situatën e përgjithshme, shqiptarët në Luginën e Preshevës në këtë mënyrë dëshirojnë ta ruajnë kujtimin për heronjtë e tyre nga viti 2001”, ka thënë kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili në nëntor të vitit të kaluar se bashku me kryetarin e kuvendit komunal, Ramiz Latifin, kanë vendosur gurin themeltar.
Deri me tani janë vendosur më shumë se 60 tonë beton. Këto ditë filloi faza e dytë e punimeve, derisa faza e tretë, përfundimtare, në të cilën do të ndërtohen tetë varre, do të përfundojë në përvjetorin e ardhshëm. Kompleksi memorial do të shtrihet në 3000 metra, kurse vetëm lapidari do të ketë 900 metra katrorë. Tetë shtylla prej graniti, të cilat përfaqësojnë tetë heronjtë, do të jenë të larta nga 16 metra.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.