Paga e luftës: Dyfishim biznesit të vogël, ndihmës ekonomike dhe asistencave

Kryeministri Edi Rama tha sot se të gjithë ata që punojnë në biznesin e vogël do të marrin një “pagë lufte”, edhe pse jo të gjithë janë të deklaruar në shtet.
“Paga e vetme e deklaruar në shtet nga një biznes i vogël është ajo e kryefamiljarit, që deklarohet në kufijtë e minimales. Rruga më e thjeshtë është që kryefamiljarit t’i japim atë që ka deklaruar dhe me ligjin jemi në rregull. Zakonisht, bashkëshortja deklarohet e vetëpunësuar pa pagë. Ne do të shkojmë përtej kësaj, në mënyrë që të gjitha qelizave familjare të këtij vendi të mos u mungojë e gjitha ajo që ne mund të bëjmë për ta në këtë kohë lufte. Ja pse ne do t’ia japim edhe gruas së kryefamiljarit pagën e luftës. Shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin e shumës së deklaruar si pagesa në kohë paqeje”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se edhe ndihma ekonomike do të dyfishohet gjatë krizës së koronavirusit: “E dimë që në familjet në nevojë, dikush del e bën edhe ndonjë punë tek-tuk, në të zezë. Prandaj, ne do të shpërndajmë për familjet në ndihmë ekonomike dyfishin e shumës që shpërndajmë në kohë paqeje. Do të përfitojnë rreth 70 000 familje”.
Edhe për personat e regjistruar të papunë gjatë kësaj periudhe do të marrin edhe dyfishin e pagesës së tyre.
“Do të dyfishojmë edhe pagesën për të gjithë të papunët për të gjithë të regjistruarit si të papunë. Ti nuk do të jesh kurrë vetëm nuk është një slogan që tingëllon mirë, por është pjesë e profilit tim kur ndeshem në përditshmërinë me hallet e shqiptarëve. Sot është dita të jemi pranë hallexhinjve më të mëdhenj. Ne kemi vetëm një rrugë, t’i zëmë vdekjes të gjitha rrugët kur ajo të mos ia dalë dot. Ne duhet të bëjmë çmos që të humbasim sa më pak jetë shqiptare në këtë luftë.’, tha Rama
“Nuk është koha për të parë si llogaritar vetëm ligjin, por për të respektuar edhe zakonin”, tha kryeministri.