Vrasja mister e italianit/ Dy pista hetimore, kush është personi i 4-t që nuk ka folur ende për policinë?

Një ngjarje plot me mister është ajo e vrasjes së italianit 44-vjeçar Eduardo Sarchi i gjetur i vdekur në anë të rrugës në Dilan mes fshatit Salari dhe Nivicë.

Sarchi figuron si administrator i kompanisë italo-shqiptare “Tegola Edilcentro” në Laprakë, një fabrikë e madhe tullash. 44-vjeçari është banues në Tiranë ndërsa në malësi të Tepelenës mendohet të ketë shkuar për gjueti.

I shoqëruar italiani mendohet të ketë qenë me Eqerem Braçin së bashku me të dy djemtë e tij, Gazmend dhe Daniel Braçi, si dhe një person i 4-t, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Këta persona janë të shoqëruar në komisariatin e Gjirokastrës. Në pyetje janë marrë 4 herë familja Braçi ndërsa personi i 4-t ende nuk është thirrur për të treguar versionin e tij të ngjarjes.

Marrja disa herë në pyetje, dy herë nga Oficerët e Policisë Gjyqësore (OPGJ), prokuroria dhe specialistët e krimeve të rënda është sepse të 3 ata kanë dhënë dëshmi kontradiktore duke nxitur dy pista: vrasjen e qëllimshme ose atë nga pakujdesia.

Një herë ata janë shprehur se kishin dalë për gjah dhe dikush i paditur i ka prerë rrugën dhe ka qëlluar me breshëri. Versioni tjetër është se e gjetën të vdekur në anë të rrugës si dhe që e gjetën të plagosur dhe iu vdiq në duar.

Edoardo Sarchi u gjet nga policia i vdekur në anë të rrugës. Në pjesën e kofshës ai ka një plagë, por që ekpertiza mjeko-ligjore që po kryhet në Tiranë ende nuk e ka konfirmuar nëse është shkaktuar nga amrë zjarri apo një tjetër mjet.

Trupi i viktimës është zhvendosur nga vendi ku është qëlluar, kjo dëshmohet nga gjurmët e gjakut në rrugë që tregojnë zvarritjen e kufomës.

Të parkuara përpara gjurmëve të gjakut është fillimisht një makinë luksoze e llojit Land Rover Defender në pronësi të njërit prej familjes Braçi ndërsa pas është një Volkswagen në pronësi të italianit.

Nuk është e qartë nëse 44-vjeçari italian është vrarë në automjet apo në rrugë, por në makinë nuk është gjetur asnjë gjurmë gjaku.

Gomat e mjetit Land Rover janë konstatuar të dëmtuara, por nuk dihet nëse janë çarë nga plumbat apo me diçka tjetër. Theksohet se ne vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja.

Burime për media kanë raportuar se italiani gjatë mbrëmjes së djeshme ka qenë në shtëpinë e pushimit të Braçajve e ndodhur në fshatin Salari.

Nga aty ata kanë vendosur të dalin për gjah, ndërsa në zonë nuk ka asnjë kamer sigurie për të hedhur dritë mbi ngjarjen në fjalë.

Vrasja e italianit është e veshur me dëshmi kontradiktore e të dhëna të dyshimta ndërsa një reagim nga Prokuroria e Gjirokastrës pritet të zbardhë më tepër mbi krimin./Newsbomb.al/

Back to top button
LAJMET E FUNDIT