VIDEO/ Nga nazizmi te Gaza: Arlinda Dudaj mbi mënyrat si e keqja shfaqet me emra të rinj

Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, botuesja Arlinda Dudaj ndalet në mënyrën se si shoqëritë mendojnë se janë përballur me të shkuarën, por shpesh mbeten të papërgatitura për ta njohur atë kur shfaqet në forma të reja. Ajo solli shembullin e Gjermanisë, një vend që investoi shumë në vetëdijësimin mbi trashëgiminë naziste, por që sot duket se e ka të vështirë të shohë ngjashmëri me realitetin aktual të luftës në Gaza.
“Sa është e mundur të arrihet deri në fund ky vetëdijësim për të mos e përsëritur të shkuarën? Për shembull, në rastin e çështjeve të sotme, si lufta në Gaza, duket sikur befas e gjithë ajo punë që është bërë në Gjermani nuk arrin të përkthehet në një kuptim të plotë të së tashmes.”
E lidhur prej vitesh me kulturën gjermane, ku ka studiuar dhe ka lexuar shumë autorë që janë përballur me plagët e nazizmit, Dudaj theksoi se sfida nuk është thjesht të mos harrosh historinë, por të kuptosh se si ajo merr forma të reja. “Gjërat e këqija nuk përsëriten njësoj, por ato përsëriten. E vetmja mënyrë për t’i shmangur është t’i njohim kur ndodhin,” tha ajo.
Libri si trend, inflacioni i shkrimtarëve dhe politikat e munguara të kulturës