VIDEO/ Antibiotikët nuk funksionojnë më si dikur. Mjekja infeksioniste paralajmëron për rrezikun e rezistencës

Shqipëria, ashtu si pjesa tjetër e botës, po përballet me një rrezik gjithnjë e më të madh: mikrobet që nuk i prek më asnjë antibiotik. Mjekja infeksioniste Dr. Alma Hoxha, në një intervistë për Apostrof Podcast, thekson se përdorimi pa kriter i antibiotikëve po na çon drejt asaj që quhet “epoka post-antibiotik”.

“Ajo vjen nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve. Shumë njerëz marrin antibiotikë edhe për viroza, që nuk kurohen me antibiotikë. Shumë pacientë i ndërpresin sapo u bie temperatura, duke menduar se janë shëruar. Në fakt, kjo vetëm e qetëson përkohësisht sëmundjen, e cila kthehet më e rëndë,” shpjegon Hoxha.

Sipas saj, rezistenca nuk është problem individual, pasi nuk bëhet rezistent trupi i njeriut, por mikrobi vetë, i cili qarkullon më pas në ajër, në ushqime dhe në të gjithë zinxhirin biologjik. Kjo krijon një rrezik për gjithë komunitetin.

Mjekja thekson gjithashtu se përdorimi masiv i antibiotikëve tek kafshët dhe shpendët ndikon drejtpërdrejt edhe tek njerëzit, përmes mishit, ujit dhe tokës. “Nuk mund të themi kjo tokë është e kontaminuar dhe kjo jo. Është një zinxhir që prek të gjithë,” shton ajo.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo tendencë nuk frenohet, shumë nga sëmundjet e zakonshme që sot trajtohen lehtësisht mund të kthehen në kërcënime të rënda për jetën.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:

Back to top button
LAJMET E FUNDIT