Përdorimi i videove erotike, si një mjet shantazhi i Presidentit të Republikës!

Nëse një qytetar i vendit tonë, do të përdorte një video intime për persona të tretë, ndaj tij do të niste hetimi penal, dhe mund të përfundonte në dyert e gjykatave. Kodi Penal, paracakton deri në 3 vite burg, për ata që posedojnë një video dhe e përdorin për shantazh.

“Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra nëpërmjet aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dënohet me burgim deri në tre vjet.” – janë ndryshimet ligjore në Kodin Penal, që u hyn në fuqi në 1 tetor të këtij viti.

Duket sikur mazhoranca me këto ndryshime i druhej video-shantazheve, me skenarë erotikë ose afere korrupsioni. Megjithatë ky nuk është objekti i shkrimit tonë.

Këto ditë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka hedhur në tregun mediatik, lajmin se ekziston një video, ku një zyrtare e maxhorancës ka kryer marrëdhënie me një Ambasador të huaj, të akredituar në vendin tonë.

Portalet afër tij, nxorrën disa “kandidatë” të këtij video skandali. Dikush tha është Spiropali, një tjetër Romina Kuko, disa lakuan Borchard e të tjerë Sorrecën. Deri tani, askush nuk e di të vërtetën, përveç Metës.

Kjo mënyrë shantazhi, pa bërë publik të vërtetën, është mënyra më e dobët për të bërë politikë, sidomos për zyrtarin më të lartë të shtetit. Imagjinoni tani, sikur Presidenti i Francës, Emanuel Macron, del në televizionet franceze dhe të thotë që kam një video seksuale për një Ambasador. Por, mos shkojmë vetëm tek Macroni, kjo nuk ndodh as me Presidentët e Maqedonise, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë e shumë të tjerë. Asnjë nga këta president, nuk janë dëgjuar duke sulmuar Ambasadorë, pasi statura e tyre nuk ua lejon etikisht ta bëjnë një gjë të tillë.

Të bësh seks, qoftë me ambasadorë apo zyrtarë, nuk është vepër penale. Por të filmosh, dhe më pas të shantazhosh, shkon në burg dhe dënohesh me 3 vite, njësoj si një qytetar i thjeshtë.

Natyrisht, vendit do t’i bënte nder, nëse Presidenti i Republikës, do të tregonte fakte sesi kanë abuzuar financiarisht Ambasadorët e akredituar në Shqipëri. Interes publik do të ishte edhe nëse këta Ambasadorë kanë favorizuar segmente të caktuara politike, përkundrejt përfitimeve.

Por jo, s’ka asgjë të tillë!

Kemi vetëm shantazhe për një video seksuale, dhe për më tepër përgojim të zyrtarëve. Pak vite më parë, një video erotike u publikua në një media, për kryebashkiakun e Dibrës, Shukri Xhelili. Ai nuk u shkarkua nga puna për seks e mbetur në tentativë, as për brekët e grisura, por sepse kërkoi marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune. Ai dënua për veprën penale “marrëdhënie seksuale apo homoseksuale, duke shpërdoruar detyrën”.

Sot, nëse Presidenti Meta, publikon këtë video, e sigurtë është që asnjëri prej tyre do dënohet penalisht, por vetëm moralisht. Ajo që mbetet për tu parë është “the day after”, pra çfarë do të ndodhë të nesërmen, nëse kjo video publikohet…fiton pikë Meta, apo humbet Presidenca si institucion?

Megjithatë, me shumë gjasa, Meta nuk e ka një video të tillë, çka e komplikon situatën edhe më tej, për të cilin reagoi edhe Bashkimi Europian. Aq më tepër raportet me Bashkimin Europian nuk mund të prishen për një video që nuk ekziston, sepse kjo mënyrë sjelljeje është një pengmarrje politike, ku kërkesa indirekte e Metës është: Ose më mbroni, ose do t’ju futem në krevat duke ju filmuar!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT