Rama: Mos u ankoni për oraret, mos na turpëroni për mustaqet e Çelos! Po punojmë për sistem elektronik kontrolli të lëvizjeve (VIDEO)

Asnjë qytetar deri më tani nuk ka shkelur rregullat e izolimit të vendosura në fuqi vetëm këtë të dielë, ku prej ores 13:00 të ditës së shtunë deri të hënën në 05:00 të mëngjesit nuk lejohet qarkullimi dhe qëndron gjithçka mbyllur, edhe supermarketet e farmacitë. Kryeministri Edi Rama në një video-mesazh nga shtëpia e tij në Surrel, u bëri apel qytetarëve shqiptarë që nga e hëna në mëngjes kur nis orari i lejimit të qarkullimit, të mos dalin në grumbullime dhe të respektojnë rregullat, ndryshe policia dhe ushtria nuk do të tolerojë askënd.
Kreu i qeverisë tha se po punohet për një sistem të kontrollit të lëvizjeve në mënyrë elektronike, që do të lehtësonte në të njëjtën mënyrë edhe në gjurmimin më të shpejtë të kontakteve që mund të ketë pasur një person i infektuar me COVID-19.
“Ne po punojmë ditë natë për një sistem kontrolli të lëvizjeve në mënyrë elektronike, që të mund ta bëjmë edhe më të racionalizuar, por kjo do edhe pak kohë”, tha Rama.
Në përfundim, shefi i mazhorancës e mbylli me një apel të fortë për të gjithë shqiptarët që të mos dalin nga shtëpitë si të vetmen mënyrë për të dalë fitimtarë nga kjo luftë e madhe që kërcënon të marrë me mijëra jetë.
“Mos na turpëroni për mustaqet e Çelos, ne duhet t’ia dalim me çdo kusht dhe ne do t’ia dalim së bashku duke shtrënguar dhëmbët duke mos lejuar që plasja e shpirtit të mos na nxjerrë rrugëve si shtytje e zakoneve të jetës së përditshme dhe duke u bërë secili ushtar në frontin e vet në shtëpi në kolltuk dhe duke mos e bërë njëri tjetrin viktimë të pakujdesisë sonë, duke mos marrë jetë njerëzish me vete përmes pakujdesisë sonë, atë që armiku do na e bëjë të mos e bëjmë një mal turpi me gjërat që nuk bëjmë”, tha Rama.