Tentuan ta helmojnë përmes karkalecave? Dalin analizat e Nuredin Dumanit, si është gjendja shëndetësore e “pentitos”

Janë shuar dyshimet për një helmim të mundshëm të “pentitos” të Prokurorisë së Posaçme, Nuredin Dumanit.
Pas kryerjes së të gjitha ekzaminimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka rezultuar se gjendja shëndetësore e Dumanit u komplikua si pasojë e një krize epileptike.
Fillimisht u dyshua se bashkëpunëtori i drejtësisë mund të ishte helmuar në qeli, mirëpo pas të gjitha analizave të kryera është hedhur poshtë kjo pistë.
Mbrëmjen e së premtes, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani u paraqit me urgjencë në spitalin e burgut 313. Por, duke qenë se ai prej vitesh ka të vendosur valvul në zemër, u dërgua me urgjencë në QSUT.
Në momentin kur Dumani është paraqitur në urgjencën e QSUT mësohet se ka qenë i pavetëdijshëm dhe më pas nuk ka mundur të flasë. Ai iu nënshtrua një proces skanimi në pjesën e kokës, barkut dhe gjoksit, ndërkohë që më tej u dërgua në Reaminacionin e Kirurgjisë, aty ku dhe u rehabilitua në një nga dhomat VIP të këtij reparti, duke qëndruar i vetëm.
Duke qenë se Nuredin Dumani i konfirmoi mjekëve se gjendja e tij u përkeqësua pasi konsumoi karkalecat, menjëherë stafi mjekësor i mori kampion gjaku me qëllim për të kuptuar nëse kemi pasur të bëjmë me një rast helmimi apo jo. Gjë e cila është hedhur poshtë së fundmi.
Nuredin Dumani la ambientet e spitalit pasditen e djeshme, pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore dhe aktualisht ndodhet në IEVP 313.