Jemi vend bujqësor? Çmimet e fruta-perimeve “flasin” ndryshe

Me të njëjtën sasi parash, këtë vit del me më pak trasta në duar nga dyqanet e fruta-perimeve. Çdokush mund ta ketë vënë re se shpenzimet për të konsumuar perimet e stinës janë rritur ndjeshëm gjatë këtij sezoni veror, e në fund të muajit, secili mund t’i drejtojë vetes në mënyrë të pavullnetshme pyetjen: “Po si ikin lekët, çfarë kemi blerë?

Edhe pse pritshmëritë ishin që në pikun e sezonit veror, ashtu sikurse ndodh çdo vit, çmimet e produkteve bujqësore të stinës të binin në minimum për shkak të rritjes së prodhimit në raport me kushtet klimaterike dhe si vend bujqësor që jemi, këtë vit duket se një pjesë e mirë e tyre kanë qëndruar në vlera të larta, ndoshta të përafërta me çmimet jashtë sezoni.

Këtë fakt e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare të institucioneve kompetente. Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave lidhur me inflacionin, vihet re se çmimet e zarzavateve përfshirë patatet për muajin korrik 2018 krahasuar me muajin korrik 2017 janë rritur me 18.3%.

Ndërsa sa i përket grupit “fruta” rritja ka qenë minimaliste krahasuar me një vit më parë, me rreth 2.7% gjatë muajit korrik.

Shitësit e dyqaneve e argumentojnë nivelin e lartë të çmimeve, kryesisht të zarzavateve me mungesë të prodhimit cilësor.

“Prodhimi që vjen nga Myzeqeja, i domates, meqë po këmbëngul më së shumti tek ky produkt, është jocilësor. Klientët tanë nuk e preferojnë. Kjo është dora e dytë. Dhe ne detyrohemi t’i blejmë disa produkte nga fshatarët në periferi të Tiranës, me cilësi më të mirë dhe çmim më të lartë. Fitimi ynë është shumë i ulët”, shprehet shitësi i një dyqani fruta-perimesh.

Çmimet e larta të perimeve dhe frutave në dyqanet e licencuara apo në tregje, i kanë detyruar qytetarët të bëjnë një zgjedhje alternative, në mënyrë që të kursejnë sadopak. Shitësit ambulantë janë zgjidhja “ideale” në këtë rast.

Duke qenë se qëllimi tyre nuk është i mirëfilltë tregtie, por shesin ato prodhime që kanë, për të siguruar të ardhura ditore, çmimet që ofrojnë ambulantët janë shumë më të leverdishme se ato që gjenden në treg, për shkak se nuk kanë edhe kosto qiraje.

Nga një vëzhgim i bërë në disa zona, duket se ambulantët, të ardhur kryesisht nga periferia e kryeqytetit, ofrojnë fruta dhe perime të sezonit, të paktën me 20-30 lekë më pak. Edhe nga pikëpamja e cilësisë, shumë nga qytetarët preferojnë produktet e fshatit dhe klientela e tyre ka ardhur në rritje.

Por çfarë ka ndodhur me çmimet e fruta-perimeve gjatë këtij sezoni veror dhe pse kanë qëndruar në nivele të larta? Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, rendit për revistën “SCAN”, disa nga faktorët që kanë ndikuar negativisht në treg dhe në ekonomitë familjare, duke përjashtuar këtu mungesën e prodhimit. Sipas tij “një pjesë e kompanive që kanë qenë të profilizuara për të furnizuar Tiranën, u janë drejtuar më shumë eksportit, duke lënë një boshllëk në Tiranë. Një faktor tjetër ka të bëjë me formën e organizimit të furnizimit të tregut. Shpesh tregu furnizohet me kompani informale, të cilat shfrytëzojnë momentet e mungesës së produktit dhe rrisin çmimet dy apo tre herë, sepse nuk kanë kontroll. Kjo vërehet edhe në Tiranë edhe në zonat turistike./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT