“Bëni një xhiro në spital dhe shikoni sa respiratorë kemi”, mjeku Alimehmeti flet për virusin e ri: Nuk ka karakteristikat e gripit apo COVID-it, mund të vijë në Shqipëri

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka folur në emisionin “Opinion” mbi rrezikun e infektimit dhe përhapjes së virusit që po qarkullon së fundmi, duke paralajmëruar për kapacitetet e kufizuara të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Alimehmeti theksoi se virusi nuk ka karakteristikat e gripit apo COVID-it, por është një patogjen krejt tjetër, i cili mund të vijë edhe në Shqipëri për shkak të lëvizjes globale të njerëzve. Ai kujtoi se nuk mjafton thjesht udhëtimi në vende tropikale për t’u sëmurë, por rreziku ekziston dhe trajtimi në vend mbetet bazik, pasi nuk ka vaksinë apo protokoll të caktuar.

Virusi nuk ka karakteristikat që ka pasur gripi apo COVID-i. Është diçka krejt tjetër. Megjithatë, është një virus që mund të vijë në Shqipëri. Kemi pasur raste edhe më parë, nuk është diçka e re. Flas për versionin e Andeve.

Sot jetojmë në një botë globale, njerëzit udhëtojnë shumë. Mundësitë për çdo lloj sëmundjeje janë që të përhapen kudo, sepse bota lëviz dhe fluturojmë me avion. Pra, virtualisht kjo është e mundur gjithandej. Por nga ana tjetër duhet të kujtojmë diçka, nuk mjafton të kesh shkuar në një vend tropikal apo të kesh takuar njerëz lokalë dhe automatikisht të sëmuresh. Po të ishte kështu, do të ishim sëmurë vazhdimisht.

Vitin e kaluar në Shqipëri kemi pasur kapacitete për ta trajtuar, por trajtimi është bazik. Këtu hyjmë në diskutime të mëdha, sepse nuk ka vaksinë dhe nuk ka protokoll të caktuar. Varet si reagon trupi. Protokolli është i drejtuar drejt mbështetjes simptomatike të pacientit, pra nuk ka lidhje direkte me virusin. Trajtimi është kryesisht terapi intensive.”- tha mjeku.

Sipas tij, problemi shfaqet kur rastet rriten në numër, sepse kapacitetet spitalore janë të ulëta.

Në numra të vegjël nuk ka qenë kurrë problem, as edhe te COVID-i. Nëse rastet do të ishin të pakta, nuk do të kishim një problem të madh. Por kur numrat rriten, atëherë situata kapërcen shumë shpejt, sepse kapacitetet tona janë të ulëta. Pra, mendimi është që tek numrat e mëdhenj ne mund të fillojmë të cedojmë sistemin dhe të kemi probleme.

Megjithatë, edhe këta “numra të mëdhenj” nuk janë aq të mëdhenj sa duket. Mjafton të bëni një xhiro në spital për të parë sa respiratorë ka gjithsej dhe kuptoni që numrat janë vetëm disa dhjetëra. Kjo është një sëmundje që të çon në intubim, pra është problem pulmonar dhe patjetër ndodh.”-shtoi ai.

Ai shtoi se infarkti i zemrës dhe i trurit mbeten shkaku kryesor i vdekjes në Shqipëri, duke përbërë mbi gjysmën e humbjeve të jetës. Ndërkohë, disa shtete europiane e kanë kapërcyer këtë problem dhe sot shkaku kryesor i vdekjes atje janë sëmundjet tumorale.

Infarkti i zemrës dhe i trurit është shkaku numër një i vdekjes në Shqipëri. Mbi gjysma e humbjeve të jetës në vend lidhen me sëmundjet e zemrës dhe të trurit. Ndërkohë, rreth 10 shtete europiane e kanë kapërcyer problemin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe sot shkaku kryesor i vdekjes atje janë sëmundjet tumorale, të cilat tek ne renditen më larg, diku të tretat.

Historikisht, sëmundjet infektive kanë qenë të parat që shkaktonin vdekshmëri të lartë. Por përmes vaksinimit, antibiotikëve dhe trajtimeve të tjera, u arrit të ulet agresiviteti i tyre. Kjo bëri të mundur që njerëzit të jetojnë më gjatë dhe të përballen me sëmundjet kronike, si ato kardiovaskulare dhe tumorale.”- tha Ilir Alimehmeti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT