Takimi Trump-Putin/ Nga kërcënimet e Luftës së Tretë Botërore tek shpresa për marrëveshje

Brenda pak orësh, Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet ballë për ballë me atë rus Vladimir Putinin në Anchorage, ku përveç luftës në Ukrainë, pritet të diskutohet mundësia e një marrëveshjeje të re për armët bërthamore si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për forcimin e paqes.

Putin e sheh fundin e mundshëm të luftës si pjesë të një pakete më të madhe çështjesh sigurie që kanë çuar tensionet Lindje-Perëndim në nivelet më të rrezikshme që nga Lufta e Ftohtë.

Me trupat ruse që përparojnë ngadalë në Ukrainë, ai ka refuzuar një armëpushim të menjëhershëm, por një marrëveshje për kontrollin e armëve mund t’i shërbejë për të bindur Trump-in të mos vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë.

Putin ka përdorur shpesh retorikë bërthamore, duke paralajmëruar se një përplasje e drejtpërdrejtë me Rusinë mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore. Rusia zotëron rreth 4.309 koka bërthamore, më shumë se çdo vend tjetër, ndërsa SHBA-të kanë rreth 3.700.

Traktati aktual New START, i nënshkruar në 2010-ën dhe i zgjatur deri në 2026-ën, kufizon secilin vend në 1.550 koka bërthamore strategjike dhe 700 raketa e bombardues të gjatë. Putin pezulloi pjesëmarrjen në 2023-in, por Moska deklaron se ende respekton kufijtë. Traktati skadon më 5 shkurt dhe analistët paralajmërojnë se të dyja palët mund t’i tejkalojnë kufijtë nëse nuk rinovohet.

Tensionet janë rritur edhe nga planet e SHBA-ve për të vendosur në Gjermani, nga 2026-a, raketa të mesme dhe me rreze të shkurtër, përfshirë Tomahawk dhe armë hipersonike, ndërsa Rusia ka deklaruar se nuk kufizohet më në vendosjen e raketave të saj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT