“Shkoi në ndihmë të djalit të ortakut”, Klodiana Lala jep detaje për vrasjen e biznesmenit italian në Tepelenë

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me vrasjen e shtetasit italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç, që ndodhi dy ditë më parë në fshatin Salari të Tepelenës.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala deklaroi se viktima nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen apo me ndonjë konflikt të mëparshëm me autorin e dyshuar.

Sipas saj, Sarchi ndodhej aty rastësisht, pasi kishte shkuar për të ndihmuar djalin e ortakut të tij shqiptar, Eqerem Braçi, i cili kishte mbetur në rrugë pasi makina i ishte prishur.

“Biznesmeni italian nuk ka pasur asnjë përfshirje në ndonjë konflikt, as më herët dhe as natën e ngjarjes. Ai thjesht ndodhej në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Konflikti ka qenë mes Gazment Braçit, djalit të Eqerem Braçit, dhe autorit të dyshuar, Kamber Sulçaj. Ata janë konfliktuar për shkak të përdorimit të dritave të gjata. Sulçaj ka ndjekur më pas Gazment Braçin, të cilit i ishte prishur makina, dhe që kishte kërkuar ndihmën e të atit. Me të ka shkuar edhe shtetasi italian për të ndihmuar, por në atë moment është kapur në breshërinë e armëve dhe ka humbur jetën”, – tha Lala.

Gazetarja theksoi gjithashtu se viktima nuk ka pasur asnjë lidhje me palët në konflikt dhe këtë, sipas saj, e konfirmojnë edhe burime zyrtare nga policia dhe prokuroria e Gjirokastrës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT