Shkarkimi i Veliajt, reagon Tedi Blushi: Këshilltarët socialistë votuan edhe (vet)shkarkimin e tyre

Pasi Erion Veliaj u shkarkua pasditen e kësaj të marte nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi. 

Në një postim në rrjetet sociale, Blushi shkruan se këshilltarët socialistë votuan edhe vetë shkarkimin e tyre, pasi sipas tij, ata e kanë mbështetur Veliajn në çdo aferë korruptive dhe në çdo akt tjetër. 

Postimi i plotë i Tedi Blushit: 

Vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre. Ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës. 

Të njëjtët që u ngritën në protesta me thirrjet “Lali Eri, o flori, po të presim në Bashki”, sot e përcollën nga Bashkia si kufomë politike. 

Pa votat e tyre korrupsioni dhe krimet e Erion Veliaj do të ishin thuajse akte në tentativë. 

Depersonalizimi i tyre është dëshmi e papërgjegjshmërisë në raport me interesin publik dhe taksat, i verbërisë politike dhe mungesës së shtyllës kurrizore dhe integritetit. 

Nuk po flas për ata/o amfibë/e të neveritshëm që, me votat e opozitës, u infiltruan në atë Këshill dhe sot fshihnin kokën si strucat pas fundshpinës së këshilltarëve të PS, duke u vetvulosur në ballë me damkën e pështirë të shëmbëlltyrës së degraduar politike. 

Ky shkarkim i Erion Veliaj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe shumë i vonuar. Ai duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies dhe rikthimit të Bashkisë te qytetarët. 

Drejtësi për Tiranën! 

Drejtësi për inceneratorin! 

Drejtësi për Nënë Lizën! 

Drejtësi për Ardit Gjoklajn! 

Beteja për çlirimin e Tiranës vazhdon 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT