Rrugëtimi i Michele Sassanellit në Shqipëri: Si arriti ai të realizonte ëndrrën italiane në zemër të Durrësit

10 vite jetë në Shqipëri, italiani Michele Sassanelli zgjodhi që të mos i shpenzonte si një punëtor i thjeshtë.
Pasi punoi 5 vite radhazi, për një call center në Durrës, në 2020, ai mori një nga vendimet që i ndryshuan rrjedhën e jetës: hapjen e zyrës së tij konsulence ligjore për emigrantët, “TravelMed Albania”.
Fillimi i biznesit të parë të tij ishte ashtu siç e priste, i suksesshëm. Madje themelimi i agjencisë, i hapi Micheles dyer të tjera suksesi në Shqipëri.
Brenda një periudhe të shkurtër që nga hapja e agjencisë së tij, 42-vjeçari arriti që përmes tij të realizonte dhe ndërmjetësime të shtetasve të huaj që do të ishin në favor të tij.
Pas një periudhe të gjatë pune duke iu ofruar të huajve leje qëndrimi, viza e dokumentacione të ndryshme, Michele mori hapin e radhës në biznes: bashkëpunime me klinika dentare, kirurgjikale dhe estetike shqiptare.
“Prej 5 vitesh realizoj ndërmjetësimin e klientëve nga Italia dhe i sugjeroj në klinikat përkatëse. Kush është për dhëmbët e dërgoj për klinikat dentare me të cilat punoj. Janë klinika të ndryshme që bashkëpunoj”, sqaron Michele.
Të qenurit një shtetas italian dhe përvetësimi i gjuhës shqipe ndër vite ia ka lehtësuar goxha Micheles ndërmjetësimin e klientëve mes dy shteteve, Itali-Shqipëri, e jo vetëm. Pavarësisht kësaj, ai thekson se problematikat janë të shumta për të arritur majat e suksesit në këtë sektor.
Në Itali, sipas tij, vitet e fundit janë bërë goxha programe televizive të cilat krijojnë një përshtypje negative te audienca në lidhje me shërbimet e ofruara në Shqipëri, sidomos në sektorin e mirëmbajtjes së dhëmbëve.
“Këtu është bërë problem së fundmi, se për 2.3 milionë banorë që jemi aktualisht, kemi 9000 klinika dentare. Diçka absurde. Janë shumëfishuar goxha. Ka nga ata që nuk janë doktorë ama hapin klinikat e tyre dhe punojnë pa ia patur idenë sektorit”, shton më tej italiani, me një shprehi fytyre që transmetonte habi.
Ndonëse disa prej italianëve e lënë në hije Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre, pjesën tjetër do i gjejmë rrugëve të Tiranës apo Durrësit duke shijuar natyrën shqiptare, ushqimet por dhe shërbime të shumëllojshme.
Duke qenë se një ndër destinacionet e radhës për të kaluar pushimet e tyre është dhe Shqipëria, Micheles iu zgjua dëshira e brendshme që, pasionin dhe adhurimin e tij për kuzhinën italiane, ta risjellë në qendër të Durrësit. Në qytetin të cilin e ndajnë vetëm 8 orë me traget nga Bari, vendlindja e tij.
Kështu Michele nisi një kapitull të ri të jetës në Durrës, ku prej dhjetë vitesh ndodhet zemra, shoqëria dhe dashuria e tij, durrsakja flokëkuqe, Malvina.
Pas 5 viteve që fluturuan duke mundësuar shtetas të huaj për klinika të ndryshme shqiptare, më i vendosur se për çdo gjë tjetër më parë, 42-vjeçari hapi restorantin e tij “Casa Mia Trattoria Italiana” në rrugën Mustafa Varoshi. Ata që thonë se ëndrrat janë të parealizueshme, për Michelen janë gabim.
“Hapjen e një restoranti tipik tradicional italian e kam patur ëndërr në sirtar. E sapo e kam nxjerrë nga sirtari, prej një muaj “Casa Mia Trattoria Italiana” ndodhet këtu, prapa Pallatit të Kulturës. Këtu do ndihesh tamam si në Puglia. Ngjyrat e kombinuara, e bardha me të kuqen, lulet nëpër tavolina, e kavanoza të mbushura me makarona të thara, çdo gjë italiane”, shpjegon Michele teksa mundohet që çdo fjalë ta shoqërojë me një lëvizje dore për të treguar se çfarë ndodhet dhe ku.
Spaghettit në kavanoz, të vendosura në raftet që ishin në anësore të murit në hyrje të restorantit (si në katin e parë ashtu dhe në të dytin), tavolinat, sipër të cilave qëndronin mbulesa të vizuara me të bardhë e të kuqe e mbi ta nga një vazo me borzilok, të jepnin përshtypjen se këtu çdo gjë gatuhet me përpikmëri si në Itali, e ashtu ishte.
Një menu e cila flet gjuhën italiane kryesohet nga antipasta të ndryshme, duke u pasuar më tej nga sallatrat, graniturat, pjatat e para (ku përfshihen ushqime tipike italiane që nga spaghettiit e gjer te fasulet me cikore). Më tej menuja pasurohet me pjatat e dyta që përbëhen me fruta deti. Pavarësisht shijes apo veçantisë së gatimit të frutave të detit në mënyrë italiane, për Michelen të preferuara mbeten gjithmonë pjatat e para.
Një trattoria italiane, me shumëllojshmëri gatimesh tradicionale, qëndron në këmbë nga puna e përkushtuar e dy shefave të kuzhinës e 6 punonjës të tjerë, përfshirë këtu kamarierë, banakierë dhe sanitaret.
“Kemi dy shefa shumë të mirë, me mbi 20 vite eksperiencë në kuzhinë secili. Njëri është italian, tjetri shqiptar. Por dhe ky shqiptari më parë ka jetuar në Itali dhe e njeh shumë mirë kuzhinën italiane”, thotë më tej Michele teksa sytë i drejtohen nga kuzhina e restorantit, aty ku qëndrojnë njerëzit që punojnë për restorantin e tij. Edhe pse është punëdhënësi i tyre, Michele ka dëshirë që të mos i cilësojë ata si punëtorë por si shokë të tij që bashkëpunojnë për të arritur së bashku sukses.
Ndonëse gjuhën shqipe e kuptonte goxha mirë, në të folur nuk është dhe aq. Teksa përpiqet që të gjejë fjalët e duhura për të dhënë përgjigje të sakta, në ndihmë i vinte shpesh, shoku që e ndihmonte me marrjen dhe shpërndarjen e porosive në restorant, kamarieri i tij.
I pyetur se kush ishte pika e tij më e fortë apo motivimi për të mos i ndalur kurrë hapat drejt suksesit, Michele stepej, merrte ca minuta derisa të mendonte përgjigjen më të saktë e të plotë në gjuhën shqipe. Pasi heshtja kaploi tërësisht eprorin italian, me nota humori “shoku i tij” (i lartpërmendur) ndërhynte me një ton të lartë: Gruaja!
Pas këtij reagimi, Michele zgjodhi të thyente heshtjen dhe me një buzëqeshje të sinqertë iu drejtua djaloshit me një të qeshur: Ekzakt. E ke gjetur! Gruaja….
Një raport epror-punonjës për t’u patur zili. Jo vetëm që orari i punës në trattorinë italiane kalonte me të qeshura e plot gjallëri, por 42-vjeçari italian shpeshherë u vinte në ndihmë punonjësve.
Pa asnjë turp, madje gjithë gëzim, Michele nga e hëna në të diel, në orarin e drekës, kur restoranti i tij ishte aq plot sa punonjësit e tij nuk kishin kohë as për të pirë uji, përvishte mëngët e këmishës, rrëmbente një përparëse dhe i futej gatimit.
“Nëse unë nuk i ndihmoj që të më rrisin më shumë klientelën me një punë të mirë dhe cilësore, kush tjetër do e bëjë”, shprehet Michele për orët e ditëve sipër tiganëve të kuzhinës së trattorisë së tij.
Një shtetas Italian, që ndonëse është pronari i dy bizneseve dhe njihet në Durrës nga bashkëpunimet e tij, të përcjell një pozitivitet e modesti.
Pas viteve të vështira jetesë në Itali ku ai punoi që nga sektori i ndërtimit e gjer te ai i shërbimi si bar-restorantet, Michele ndryshe nga seç e thotë një shprehje popullore, nuk kishte “lindur me këmishë”, ndonëse tashmë çdo ditë vishej me një të tillë.
)