A po godet Meta reformën në drejtësi, nëpërmjet goditjes së Gjonajt?

Në vrazhdën e denoncimeve që po bën këto ditë Presidenti i Republikës ndaj asaj që ai e ka cilësuar si “grusht shteti”duhet thënë që nuk ka kursyer as goditjet ndaj Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonajt.
Kreu i shtetit në një konferencë për shtyp ditën e sotme e ka akuzuar Ministren e Drejtësisë se ka kryer vepër penale duke publikuar në fletoren zyrtare një vendim të KED-së për emërimin e antarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo sepse sipas Metës vendimet e KED-së nuk botohen në fletoren zyrtare, por vetëm në faqen e Gjykatës Kushtetuese në seksionin e përcaktuar për këtë qëllim.
Kjo sipas Metës përbën vepër penale dhe ka paralajmëruar se që të hënën do të dërgojë një padi penale në SPAK ndaj ministres së Drejësisë.
Ai i kërkon ndër të tjera ministres Gjonaj që të japë dorëheqjen nga posti i saj. Por a e paragjykon kjo akuzë Metën edhe përsa i përket mbështetjes së reformës në drejtësi?
E shtrojmë këtë pyetje pasi Ministri i Drejtësisë është titullari me shumë rol në reformën e re të drejtësisë dhe madje ka drejtuar edhe disa procese, të cilat i kanë dhënë rol kyç kësaj ministrie.