Qeveria “Rama 4” bën betimin sot në Presidencë, kryeministri menjëherë do të thërrasë mbledhjen e parë

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e rinj do të bëjnë sot betimin në Presidencë. Ashtu sikurse kemi njoftuar dhe më herët, kreu i qeverisë së bashku me kabinetin e ri qeveritar do të paraqiten në orën 10:00 në ambientet e Presidencës.
Pas betimit burime për mediat bëjnë me dije se kryeministri Rama do të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Seanca plenare e një dite më parë ku kryeministri Rama pritej që të prezantonte programin e ri qeveritar si dhe votimin e kabinetit “Rama 4”. Por, për shkak të tensioneve të shkaktuara nga ana e mazhorancës, kjo seancë nuk zgjati më tepër se 25 minuta.
Shkak për kaosin e krijuar në sallë u bë mistria më e re virtuale “Diella”, së cilës kryeministri “i dha fjalën” gjatë seancës. Deputetët demokratë u mblodhën të gjithë bashkë para foltores së Kuvendit duke mos lejuar vijimin e seancës normalisht.
Si rrjedhojë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pas disa paralajmërimeve kaloi në votim programin dhe kabinetin qeveritar. Nga ana tjetër, demokratët pas një mbledhje të zhvilluar në selinë blu vendosën që t’i drejtohen Kuvendit me një shkresë zyrtare duke kërkuar anulimin e votimit.
Sipas opozitës, seanca është zhvilluar në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, për disa arsye kryesore:
-Kryeministri nuk e paraqiti të plotë programin qeverisës dhe ia kaloi fjalën një “ministre virtuale” (Diella), gjë që nuk lejohet nga ligji;
-Deputetëve të opozitës nuk iu dha fjala për pyetje apo debat, siç parashikohet qartë nga rregullorja;
-Seanca u ndërpre dhe rifilloi në mënyrë të njëanshme, pa u respektuar procedurat dhe e drejta për të folur e përfaqësuesve të opozitës;
-Votimi u krye pa debat, pa përfunduar paraqitja e programit dhe pa respektuar hapat kushtetues dhe parlamentarë.
PD e cilësoi veprimin si shkelje flagrante të Kushtetutës dhe kërkoi anulimin e votimit të zhvilluar më 18 shtator dhe thirrjen sërish të seancës.
Kabineti i ri qeveritar:
Edi Rama – Kryeministër;
Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”;
Belinda Balluku – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Albana Koçiu – Ministër i Punëve të Brendshme;
Elisa Spiropali – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Petrit Malaj – Ministër i Financave;
Blendi Gonxhja – Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
Sofjan Jaupaj – Ministër i Mjedisit;
Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Arsimit;
Evis Sala – Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
Delina Ibrahimaj – Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit;
Besfort Lamallari – Ministër i Drejtësisë;
Pirro Vengu – Ministër i Mbrojtjes;
Andis Salla – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Ervin Demo – Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor;
Majlinda Dhuka – Ministër Shteti dhe Kryenegociator;
Adea Pirdeni – Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe
Antikorrupsionin;
Toni Gogu – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.