A jemi në rrezik prej muxhahedinëve?

Duke qenë se Shqipëria prej vitit 2013 strehon muxhahedinët iranianë (MEK) në kampin “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit, lind pyetja nëse kjo e bën vendin objektiv të mundshëm.
Ish-kreu i Gardës, Arben Çuko u shpreh se, në këndvështrim strategjik, ky grup nuk përbën objektiv prioritar për Iranin.
“Unë mendoj që Iranianët kanë halle të tjera për të zgjidhur. Në këndvështrimin strategjik, ky grup nuk përbën një objektiv për iranianët, por mundësia teknike e hedhjes së raketave moderne që arrijnë deri në Europë ekziston. Ata pretendojnë që kanë testuar një raketë tjetër me rreze 3000 km që do të arrinte deri në Europën qendrore” tha ai.
Po nëse një raketë do të nisej drejt Ballkanit, a mund të ndalohej?
“Teknikisht kjo raketë që lëshohet në Iran, del mbi atmosferë, lëviz dhe kur vjen mbi objektiv futet. Asnjë vend e asnjë mbrojtje kundër ajrore nuk do arrijë ta kap. Atë raketë e zbulon vetëm flota amerikane që ka radarë.
Ne duhet me urgjencën më të madhe të ngrejë sistemin kundër ajrore. Ka ardhur koha që ne të kemi mbrojtjen tonë kundër ajrore për të mbrojtur popullësinë, infrastrukturën dhe asetet tona” tha Çuko.
Sa i përket objektivave të operacionit ushtarak kundër Iranit, Çuko u shpreh skeptik sepse një diktaturë nuk rrëzohet me bomba.
“Kjo është paralajmëruar vite më parë. Lindja e Mesme nuk ka qenë asnjëherë e qetë dhe e paqtë. Me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës u ravijëzuan dy kampet botërore: kampi perëndimor dhe anti perëndimor me Rusinë, Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut.
Goditja ndaj Iranit nga ana amerikane është pjesë e strategjisë globale të Amerikës për të ndërprerë linjat kineze të komunikimit me aleatët. Kjo ishte arsyeja që u be operacioni në Venezuelë por edhe në Iran, dy burimet kryesore të Kinës për naftën.
Ky qëllim përputhet dhe me synimin izraelit për uljen e kapaciteteve bërthamore të Iranit. Objektivi themelor politik i Izraelit dhe SHBA-ve është ndryshimi iregjimit. Një regjim nuk ndryshon duke hedhur bomba.
Fushata ajrore në rastin e një shteti të madh dhe të fuqishëm sic është Irani, nuk do të sjellë rezultatet e pritshme të dorëzimit të një shteti vetëm me fushata ajrore. Një shtet dorëzohet vetëm po ta pushtosh, por vetëm me goditje ajrore objektivi është shumë i paqartë.
Gjatë gjithë historisë moderne ka pak raste, që vetëm me përdorimin e fuqisë ajrore dhe kërcënimin e përdorimit të forcës tokësore u dorëzua. Kjo ishte Serbia. Irani është shtet i konsoliduar. Fuqia e Iranit është me e madhe se ajo e Irakut. Territori iranian është më i vështirë dhe më i madh. Teknologjia dhe prodhimi ushtarak iranian janë shumë më të fuqishme.
SHBA-ve do u duhet të grumbullojnë 2 milionë ushtarë që të arrijnë të sulmojnë Iranin. Objektivat politikë të këtij operacioni janë jo të përcaktuara qartë” tha ish-kreu i Gardës.
Ai paralajmëroi edhe për pasojat ekonomike globale si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
“Unë mendoj që kjo luftë nuk do zgjasë shumë sepse do të thotë një krizë shumë të madhe energjitike për të gjithë botën. Fuçia e naftës ka vajtur 80 dollarë për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit nga ku kalon 20% e naftës. Nëse ky konflikt do vazhdojë gjatë, çmimi i naftës do të dyfishohet, zinxhiri global i furnizimit me mallrave nga Azia në Perëndim do të prishet” tha ai
Sipas tij, Europa dhe Shqipëria kanë vetëm një rrugë: forcimin e mbrojtjes dhe mbështetjen e aleancës me SHBA-të.
“Besoj që Europa ka nxjerrë dhe po nxjerr mësimet e veta për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes. Europa ka vetëm një rrugë, siç edhe ne kemi vetëm një rrugë; të mbështesim pa kushte SHBA-të si aleat strategjik. Iranianët këtë herë, kanë qenë të përgatitur për këtë skenar. Ka një plan të qarë operacional. Ata po shpenzojnë raketat e vjetra për të lodhur dhe stërmunduar mbrojtjen kundër ajrore izraelite, amerikane dhe vendeve të Gjirit.
Unë mendoj që teknologjinë më të re hipersonike nuk e kanë përdorur akoma në masë. Kjo duket sikur është shumë larg nesh, por jo. Ka një lloj ndikimi periferik ndaj nesh por në parashikimin afat-mesëm, kjo ka direkt impakt edhe për vendin tonë” – tha ai.