“Në Shqipëri ka ardhur liria, por jo demokracia”, Rama në Kolegjin e Europës: Disa prej jush mund të bëheni…

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të martë, 16 shtator në Kolegjin e Europës në Bruzh, aty ku po mban aktualisht një fjalë.

Rama iu drejtua studentëve me fjalët: “disa prej jush mund të bëheni komisionerë, ministra, a kryeministra e presidentë të vendeve të BE-së.”

Në fjalën e tij, Rama vuri theksin te nevoja për të mbrojtur vlerat e Bashkimit Evropian, veçanërisht në kohë krizash dhe sfidash globale. Ai ndau një bisedë personale me kryetarin e Bashkisë së Athinës, i cili i kishte shkruar: “Ç’kohëra që po jetojmë, i dashur Edi, dhe sa shumë do të dëshmojmë para se kjo epokë të mbyllet.”

Rama rikujtoi historinë e dhimbshme të Shqipërisë nën diktaturë dhe periudhën e tranzicionit të dhimbshëm drejt demokracisë:

“Ata ishin të lirë, ne ngelëm të kyçur në bunkerin tonë… mijëra njerëz të dëshpëruar kapërcyen muret e ambasadave. Europa nuk ishte më një yll i paarritshëm në ekran, por një shpresë për jetë më të mirë.”

Ai kujtoi gjithashtu një bisedë me një mik të hershëm që i kishte thënë:

“Demokracia ende nuk ka ardhur në Shqipëri, liria po. Shpresoj që kur të arrish moshën time, të kesh fatin ta shohësh demokracinë të funksionojë.”

Falë Zotit ekziston BE, pa BE-në do të ishim ende duke pritur qindra vite…”, shton ai.

Kryeministri theksoi se pa ekzistencën e Bashkimit Evropian, Shqipëria dhe rajoni do të kishin mbetur shumë më gjatë në pritje për të përjetuar frymën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

“Një diktaturë mund të bjerë brenda javësh, por demokracia kërkon dekada për t’u ndërtuar,” tha Rama, duke e quajtur BE-në një bekim për Shqipërinë dhe Ballkanin.

Ai nënvizoi gjithashtu se alternativa ndaj BE-së nuk është një tjetër union, por thjesht izolim dhe rrezik për kombet e vogla, duke iu referuar kërcënimeve që burojnë nga gjeopolitika moderne.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT