“BE-ja me standarde të dyfishta – bllokon bashkëpunuesit, shpërblen shantazhuesit!”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi Bashkimin Europian për standarde të dyfishta duke vënë theksin tek qasja ndaj Serbisë, e cila anon nga Moska dhe mohon krimet e luftës në Kosovë. Ai i bëri këto komente në një konferencë të organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim” në Berlin, duke folur për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë VOA.

Në një njoftim të zyrës së tij, presidenti Thaçi citohet të ketë thënë se “pikërisht kur po mbahej samiti i NATO-s në Londër, presidenti i Serbisë udhëtoi për në Rusi. Ky është mesazh për orientimin e Serbisë. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme kemi dëgjuar deklarata nga liderët serbë, duke i mohuar krimet dhe gjenocidin në Kosovë”.

Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, tha presidenti Thaçi, nuk ndikojnë vetëm në rrafshin dypalësh por edhe në qëndrueshmërinë e rajonit dhe Bashkimit Evropian. Ai theksoi e Kosova duhet të marrë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur dhe hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të bëhet në të ardhmen e afërt.

“Bllokimi i negociatave ishte mesazh i keq për gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se BE-ja ka standarde të dyfishta. “Derisa Kosova bllokohet në liberalizim dhe Maqedonia me Shqipërinë bllokohen në hapjen e negociata, Serbisë i premtohet hapje e kapitujve të rinj. Shohim pra që ata që shpërblehen janë ata që shantazhojnë BE-në me raportin me Rusinë”, ka deklaruar ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT