Drejt fundit ndikimi i Moskës në Afrikë? Tërhiqen trupat ruse, rebelët Tuareg shkaktojnë “tërmet” në Mali

Një goditje poshtëruese ndaj prestigjit të Kremlinit në kontinentin afrikan është regjistruar javët e fundit, ndërsa forcat ruse janë detyruar të lëshojnë fortesën strategjike të Kidalit në Malin verior. Pamjet e luftëtarëve Tuareg që tallnin konvojin rus gjatë tërheqjes, po qarkullojnë si dëshmi e një kthese dramatike në rajonin e Sahelit, i konsideruar si vatra më vdekjeprurëse e terrorizmit në botë.

Tërhiqja e “Korpusit Afrikan” — pasardhësi i Grupit Wagner nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë — nuk është thjesht një humbje territoriale. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, ky episod ekspozon kufizimet e aftësisë së Vladimir Putinit për të mbrojtur aleatët e tij larg kufijve rusë.

Aleanca e rrallë që gjunjëzoi mercenarët

Mali është zhytur në një kaos të ri që prej 25 prillit 2026, kur militantët e lidhur me al-Kaedën dhe rebelët separatistë Tuareg të Frontit Çlirimtar të Azawad (FLA) nisën një ofensivë të përbashkët. Kjo aleancë e rrallë mundësoi pushtimin e shpejtë të bazave ushtarake, duke kulmuar me rrethimin e Kidalit.

Në një lëvizje që tregon dobësinë e tyre në terren, forcat ruse negociuan një marrëveshje me militantët për të siguruar një “kalim të sigurt” gjatë evakuimit të personelit. Ky akt ka dëmtuar masivisht reputacionin e Moskës si një partner që ofron siguri “pa kushte” për regjimet ushtarake në Afrikë.

Goditja në zemër të juntës, vritet arkitekti i marrëdhënies me Rusinë

Kriza për juntën ushtarake në Mali është thelluar edhe më tej me vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes, Sadio Camara. Oficeri i trajnuar në Rusi, i cili konsiderohej si arkitekti kryesor i largimit të Malit nga ndikimi francez drejt atij rus, u vra në një shpërthim vetëvrasës në shtëpinë e tij pranë kryeqytetit Bamako.

Grupi terrorist JNIM, që mori përgjegjësinë për sulmin, tani kërcënon me një bllokadë të plotë të kryeqytetit, duke nxitur popullatën të revoltohet kundër udhëheqjes ushtarake.

Premtimet e dështuara të Kremlinit

Në Samitin Rusi-Afrikë të vitit 2023, Putin premtoi pakte bashkëpunimi me mbi 40 vende, duke u paraqitur si alternativa ndaj Perëndimit. Megjithatë, analistët argumentojnë se modeli rus është kryesisht transaksional: siguri në këmbim të burimeve natyrore si ari dhe diamantet.

“Modeli i sigurisë i Kremlinit është një zgjidhje sipërfaqësore për një krizë të thellë,” thotë Héni Nsaibia, analiste e ACLED. “Ai bën shumë pak për të adresuar faktorët themelorë si qeverisja e dobët, korrupsioni dhe tensionet etnike.”

Drejt një udhëkryqi strategjik

Me rënien e Kidalit dhe pasigurinë që po prek Bamakon, regjimi ushtarak i Malit përballet me një dilemë mbijetese. Edhe pse Mali, Burkina Faso dhe Nigeri kanë formuar “Aleancën e Shteteve të Sahelit” dhe po kërkojnë alternativa nga Kina dhe Turqia, Rusia mbetet partneri i vetëm i gatshëm për të dërguar trupa luftarake direkt në front.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e Tuaregëve parashikojnë rënien përfundimtare të juntës dhe i kanë bërë thirrje forcave ruse të largohen plotësisht nga vendi. Për Vladimir Putin, rënia e Kidalit mund të shënojë fillimin e fundit të “ëndrrës afrikane” të Rusisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT