Ministrja ekuadoriane nuk përmendi mafien shqiptare në OKB, sqaron stafi i Spiropalit

Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, Gabriela Sommerfeld / Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali
Ministrja e Jashtme nuk e përmendi Shqipërinë dhe Shqiptarët, gjatë fjalimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sqaron Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme.

Në një reagim për mediat, Ministria e Jashtme mohon lajmet që qarkulluan sot në mediat shqiptare, ku thuhej se gjatë fjalës në OKB, Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, Gabriela Sommerfeld, përmendi kartelet shqiptare të trafikimit të kokainës.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndjekur keqinformimin e disa mediave online gjatë ditës së sotme, mbi faktin plotësisht të pavërtetë të përmendjes së Shqipërisë apo shqiptarëve, në fjalën kombëtare të Ekuadorit, nga Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ky është një fakt tërësisht i sajuar, pa asnjë vërtetësi, pasi as Shqipëria dhe as shqiptarët nuk përmenden në këtë fjalim, i cili është publik, i aksesueshëm në faqen zyrtare të OKB-së.

Fjala e ministres mund të lexohet nga çdokush që nuk përpiqet të keqpërdorë këto forume të larta ndërkombëtare duke sajuar fakte të paqëna, për të ulur dinjitetin, reputacionin dhe imazhin që Shqipëria ka ndërtuar me sukses në arenën ndërkombëtare”, sqaron Ministria e Jashtme shqiptare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT