Shkëlqimi dhe rënia e Sanremos! Si festivali u zbeh pas ikjes së Amadeus, ulje drastike e shikueshmërisë, Ermal Meta futet në këngëtarët më të mirë

Edicioni i 76-të i Festivalit të Sanremos u mbajt me emocione të forta dhe diskutime të shumta sa i përket shikueshmërisë. Me përfundimin e natës së dytë, analizat janë të pashmangshme dhe sipas mediave italiane, audienca këtë vit ka pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me edicionet e fundit.

Mbrëmja e parë e transmetuar në Rai 1 u ndoq nga rreth 9.6 milionë shikues, me 58% share, dukshëm më pak se një vit më parë, kur festivali kishte arritur mbi 12.6 milionë shikues dhe 65.3% të audiencës. Krahasuar me vitet e drejtuara nga Amadeus, shifrat janë më të ulëta, ndërsa këtë vit drejtimin e spektaklit e ka marrë Carlo Conti.

Analistët e lidhin rënien me disa faktorë, përfshirë vendosjen e festivalit në fund të shkurtit për të shmangur përplasjen me 2026 Winter Olympics, si dhe konkurrencën televizive nga ndeshja mes Inter Milan dhe Bodo/Glimt. Megjithatë, organizatorët theksojnë se Sanremo mbetet një “event” me ndikim të jashtëzakonshëm, që shtrihet përtej televizorit tradicional, duke përfshirë ndjekjen përmes pajisjeve digjitale.

Në natën e dytë, dinamika e votimit ndryshoi, pas jurisë së shtypit televiziv dhe online, kësaj here publiku i gjerë mori një rol vendimtar, duke përbërë 50% të totalit të votës, ndërsa gjysma tjetër erdhi nga juria e radios.

Pas interpretimit të 15 këngëve, në pesëshen më të votuar u renditën Tommaso Paradiso me “I romantici”, LDA & Aka 7even me “Poesie clandestine”, Nayt me “Prima che”, Fedez & Masini me “Male necessario” dhe, mes tyre, një emër që për publikun shqiptar është i rëndësishëm, Ermal Meta me këngën “Stella Stellina”.

Artisti shqiptar, tashmë një figurë e konsoliduar në skenën italiane, solli një performancë të ndjerë, dhe teknikisht të përkryer, duke dëshmuar se mbetet një nga zërat më autentikë të festivalit.

“Stella Stellina” u prit me ovacione dhe reagime pozitive, ndërsa prania e tij në pesëshen më të mirë konfirmon vlerësimin e jurive dhe të publikut. Me këtë këngë ai i këndoi një vajze të vogël të vrarë në Gaza gjatë një sulmi izraelit.

Meta doli në skenë me emrin e një vajze palestineze, Amal, të shkruar në jakën e këmishës së tij.

“Protagonistja e ‘Stella stellina’ është një fëmijë pa emër, por ndoshta i ka të gjithë emrat. Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind… çfarë rëndësie ka? Ndoshta gjithçka, ndoshta asgjë. Fëmija i askujt, fëmija i të gjithëve”, shkroi Meta në rrjetet sociale pas performancës së tij, duke theksuar mesazhin e këngës.

Sanremo këtë vit dhuroi edhe momente simbolike, si takimi në skenë mes Kabir Bedi dhe Can Yaman, dy epoka të “Sandokanit”, në një përqafim mes brezash që emocionoi publikun

Back to top button
LAJMET E FUNDIT