Dy fiset armike në Shkodër, hakmarrja që s’ka mbarim! Atentatet që po përgjakin veriun, saga e krimeve në familjet e Ibrahimit Licit dhe Bajrave

Atentati i një dite më parë në qytetin verior të Shqipërisë, Shkodër, tronditi jo pak vendin tonë. Dy qytetarë të pafajshëm, me një figurë të pastër në institucionet e drejtësisë, Armando Pali dhe Liridon Kraja, humbën jetën si pasojë e breshërisë së plumbave që ishin “taksur” për 43-vjeçarin Erogen Vaso alias Brajoviç.
Newsbomb më herët raportoi se Erogen Vaso alias Brajoviç rezulton të jetë dhe vëllai i Denis Bajrit, një eksponenti të njohur të botës së krimit në kryeqendrën e veriut dhe një besnik i grupit të “Bajrave” pasi ashtu si dhe theksuam më herët bëjnë pjesë nga i njëjti fis.
43-vjeçari mbeti i plagosur në atentatin e një dite më parë, ndërkohë që dhe në këtë ngjarje kriminale ka dalë fisi “Lici” me të cilët Bajrat kanë një hakmarrje disavjeçare.
Lidhur me vdekjen e Palit dhe Krajës si dhe plagosjen e Vasos dhe kamarieres 25-vjeçare ra në pranga i riu Ragip Gila. Por, ky i fundit dyshohet se në këtë atentat ishte thjesht ekzekutori, pasi porosia ka ardhur nga një grup kriminal.
Policia e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati i një dite më parë është porositur nga persona të tjerë dhe madje shpallën në kërkim edhe shtetasin Bajram Begu alias Barush Begu, një emër i njohur ky për mediat dhe për fisin Lici. Pasi rezulton të ketë qenë edhe krahu i djathtë i “fantazmës” së Shkodrës, Ibrahim Licit.
Begu së bashku me një 17-vjeçar dyshohet se kanë qenë personat të cilët i siguruan armën 28-vjeçarit Gila për të çuar në fund urdhrin e dhënë. Ky i fundit thuhet se është pjesë e grupit të Lul Kullës, i cili po ashtu është dhëndër në familjen Lici.
Një ditë më parë blutë e Shkodrës zbarkuan në banesat e fisit Lici. Në shtëpinë e hallës së Ibrahim Licit, kundërshtar i përbetuar i Bajrave u gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh.
Si nisën përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri:
Atentati i ndodhur një ditë më parë, 8 shtator, dyshohet se është vijim i përplasjeve mes dy grupeve, Lici dhe Bajri në Shkodër, përplasje e cila ndër vite ka “prodhuar” disa viktima.
Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.
Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018-ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.
Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë.
Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.
Më 14 nëntor vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”. Më 20 mars ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë.
Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.
Ndërkohë që saga e vrasjeve vazhdoi me Endri Mustafën dhe autor është sërish Ibrahim Lici.