“Le të kërcejmë vals!” Elisa Spiropali në mesin e Sharon Stone dhe mbesave të Princeshës Diana, pamje MAGJIKE nga Opera e Vjenës (FOTO-DETAJE)

Me fjalët legjendare “Alles Walzer” (Le të kërcejmë vals), të enjten në mbrëmje u hap Balli i 68-të i Operës së Vjenës në sallën e mrekullueshme të Operës Shtetërore të Vjenës. Atmosfera ishte magjike, ndërsa të ftuarit e shumtë nga politika, kultura, u mblodhën për të festuar dhe përjetuar një nga ngjarjet më prestigjioze të sezonit kulturor.
Korridoret e teatrit, me arkitekturën e tyre labirintike dhe elegancën, u mbushën me njerëz tw veshur “shik”.
Mes tyre ishte edhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali e cila mori pjesë me ftesë të veçantë të homologes të saj të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger. Pjesëmarrja e saj simbolizoi jo vetëm prezencën shqiptare në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Austrisë, por edhe respektin dhe besimin mes dy vendeve, duke theksuar rolin e fuqishëm të diplomacisë kulturore në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Me ftesë të posaçme të Ministres Federale për Punët e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, në Ballon e Operës së Vjenës, e mbajtur nën patronazhin e Presidentit Federal, Dr. Alexander Van der Bellen.
Ftesa e nderit në emër të Shqipërisë në këtë event tradicional që daton nga shek. XVIII, instrument i fuqishëm i diplomacisë kulturore, është tregues i respektit, besimit dhe vlerësimit me të cilin miqtë austriakë, shohin dhe trajtojnë Shqipërinë si pjesë e natyrshme e miqësive dhe aleancave të tyre”, shkruan Spiropali, krah videos me momentet më kulminante të këtij eventi. (VIDEO)
Programi i mbrëmjes nisi me Fan Polonaise, të kompozitorit Carl Michael Ziehrer, duke e përshëndetur publikun me një hyrje madhështore, ashtu si dhe tradita austriake e do.
Ky moment i pasuar nga baleti i kuruar nga Jessica Lang, i shoqëruar nga “Carousel Valtz”, solli një përzierje të harmonisë klasike dhe dinamizmit modern. Një tjetër pjesë e veçantë e mbrëmjes ishte performanca muzikore nga Benjamin Bernheim dhe sopranoja Pretty Yende, të cilët interpretonin kompozime të Leonard Bernstein dhe arie nga opera “La Traviata” e Giuseppe Verdit.
Pikërisht në mesnatë, mbrëmja arriti kulmin me kuadrilin e mesnatës, një nga traditat më të dashura të Ballit të Operës së Vjenës. Instruktorja e vallëzimit, Maria Angelini-Santner, udhëhoqi qindra të ftuar në pistën e vallëzimit, duke krijuar një skenë që sipas Drejtorit të Operës, Bogdan Roscic, ishte “anarki e kamufluar bukur”, një përshkrim perfekt për energjinë dhe spontanitetin që mbizotëronte në atë çast.
Përveç shkëlqimit të muzikës dhe vallëzimit, Balli i 68-të i Operës së Vjenës ishte edhe një mjet i fuqishëm i diplomacisë kulturore. Prezenca e ministrave dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme, mes tyre edhe përfaqësuesit nga Shqipëria dhe Filipinet, tregoi rëndësinë që ky event ka për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes kombeve.
Ndër të pranishmit ishin Presidenti Federal, Alexander Van der Bellen me gruan e tij, Doris Schmidauer, zëvendëskancelari Andreas Babler, ministri i Infrastrukturës Peter Hanke, sekretarja e Shtetit për Çështjet Ekonomike Elisabeth Zehetner, kryetari i Bashkisë së Vjenës Michael Ludëig dhe Guvernatori i Austrisë së Epërme Thomas Stelzer. Ishin të pranishëm edhe artistë dhe muzikantë, sopranoja Anna Netrebko, aktorë të njohur, si dhe anëtarë të shoqërisë së njohur austriake dhe ndërkombëtare, të gjithë të bashkuar në një mbrëmje të jashtëzakonshme elegance dhe shkëlqimi.
“Qershia mbi tortë” ka qenë pikërisht aktorja e njohur Sharon Stone. Ajo u fotografua krah producentit Karl Guschlbauer. E ashtu sikurse Stone vepron gjithmonë, pasi mori të gjithë vëmendjen dhe sytë e të gjithëve ishin mbi të, ajo u largua për në hotelin e saj.
Ndërkohë që këtë vit, Jacqueline Lugner mori përsipër traditën e familjes dhe trashëgiminë e babait të saj, Richard Lugner, duke organizuar pjesëmarrjen e mysafirëve të shquar në Ballin e Operës. Ajo solli në Vjenë aktoren Fran Drescher, e njohur nga seriali “The Nanny”. Drescher u shfaq me një kombinim elegant nga Dolce & Gabbana dhe mbërriti me ish-bashkëshortin e saj, Peter Marc Jacobs.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu,” tha aktorja në një intervistë për ORF. “E dua shumë këtë qytet, veçanërisht ushqimin, artin dhe muzikën.” Mes të ftuarëve të tjerë ishin edhe Amelia dhe Eliza Spencer, mbesat e Princeshës Diana