“Të shpallet emergjenca sot, nesër tepër vonë…”, Basha i vendos tre kushte Ramës

Shifrat e të prekurve nga COVID 19 po rriten. Partia Demokratike referuar shifrave të fundit që u pohuan mesditën e sotme zyrtarisht nga autoritet shëndetësore thotë se lind nevoja për të ndërmarrë një plan të detajuar masash për parandalimin e përhapjes së shpejtë të virusit. Madje, në deklaratën e kryetarit të PD, Lulzim Basha thuhet se pa u bërë tepër vonë duhet vepruar për ti dalë të keqes përpara.
Sipas Bashës, tre janë masat më urgjente që duhen marrë. Së pari, të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të mbyllen call centera, fasoneritë dhe sipërmarrjet e tjera me numër të madh punonjësish në një hapësirë të mbyllur që kanë probabilitet të lartë për të përhapur virusin.
Së dyti, të hartohet një plan masash i detajuar dhe me afate të mirëpërcaktuara për mënyrën e operimit të bizneseve që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve.
Dhe së treti, marrjen e masave të menjëhershme diktuar nga gjendja e jashtëzakonshme për të garantuar kushtet jetike për të gjithë qytetarët që për shkak të pamundësisë për të punuar nuk përballojnë nevojat e përditshme.
Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë të vështirë. Qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi ndërsa qeveria duhet t’u japë siguri për të përballuar jetesën e tyre – përfundon deklarata e Bashës.