Kush do të jetë shefi i ri i SPAK? Gazetarja tregon mbështetjen e amerikanëve: Takuan prokurorin e “Toyota Yaris” (EMRI+FOTO)

Teksa të gjithë flasin se kush mund të jetë pasardhësi i Altin Dumanit në krye të SPAK pasi mandati i tij përfundon në dhjetor, gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar në emisionin “Të Paekspozuarit” se ai mund të jetë Prokurori Klodian Braho.
Gazetarja u ndal tek një vizitë e të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn, në SPAK, ku u takua me Altin Dumanin dhe Klodian Brahon.
Sipas saj, ky është një sinjal ndërsa shtoi se Braho mund të jetë një nga kandidatët potencialë pasi ka hetuar çështje të rëndësishme si dosja Toyota Yaris, arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës dhe hetimet për dosjen 5D.
“Përfaqësuesja e SHBA ka takuar Dumanin dhe Klodian Brahon. Shprehja e kësaj mbështetjeje më bën të mendoj se zoti Braho mund të jetë një nga kandidatët potencialë. Ai ka hetuar çështje të rëndësishme si dosja Toyota Yaris, arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës, hetimet për dosjen 5D. Ka qenë nën presion, por në rastet që ka pasur, ka treguar se mund të drejtojë SPAK-un,” tha Lala.
Gazetarja Klodiana Lala përmendi edhe emra të tjerë si Adnan Xholi që ka hetuar dosje të krimit të organizuar, Sotir Kllapi i cili ka në dorë dosjen “Meta”, Vladimir Mara ose Doloreza Musabelliu.
“Unë personalisht do të preferoja një person që ka përballuar më shumë presion publik. Në SPAK kemi prokurorë që kanë mbajtur dosje shumë të rënda. Amerikanët ishin sot në SPAK dhe qëndrimi i tyre aty është mesazh i qartë se po monitorojnë procesin. Nuk shkon VanHorn aty me kokën e vet.”-përfundoi Lala.