Kur Fatos Nano uronte PDK-në, trashëgimtaren e UÇK-së: Lufta juaj ishte një lëvizje e fuqishme popullore kundër gjenocidit shekullor serb

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vijojnë të përballen me akuza në Hagë. Por sytë e mendja e shqiptarëve, janë për nga ata, si dëshmia e gjallë e mbrojtjes së vlerave të lirisë në djepin shqiptar.
E në fakt kështu i etiketonte në fillimvitet 2000 edhe ish-kreu historik socialist në Shqipëri, Fatos Nano, i cili me rastin e formimit të një lëvizjeje tashmë politike, atë të krijimit të Partisë Demokratike të Kosovës, i vlerësonte dhe inkurajonte për guximin e marrë prej Hashim Thaçit e të tjerë, për ta parë të lirë Kosovën
Më 19 maj 2000, me rastin e Kuvendit të Parë të Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano, dërgoi një mesazh urimi dhe mbështetjeje.
Në këtë letër të siguruar nga Albanian Post dhe të publikuar ekskluzivisht për të parën herë, Nano vuri theksin te roli i PDK-së si pasuese politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë trashëgimtare të vlerave të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, të fituara me sakrifica të mëdha, gjak dëshmorësh dhe heroizmin e Adem Jasharit.
Ai theksoi se programi i PPDK-së për një Kosovë demokratike dhe moderne nuk ishte vetëm vizion politik, por mbante mbi vete vulën e një populli të tërë. Nano shprehu besimin e tij se PPDK do të shndërrohej në një forcë serioze dhe moderne, e aftë të udhëhiqte Kosovën drejt integrimit euroatlantik dhe bashkëpunimit me forcat progresiste shqiptare.
Në emër të Partisë Socialiste, ai rikonfirmoi gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet me PPDK-në dhe për të punuar së bashku për një të ardhme demokratike, mirëqenie dhe prosperitet për mbi 6 milion shqiptarët e Ballkanit.
Letra e plotë e Fatos Nanos
Përshëndetje e Kryetarit të PSSH-së, Fatos Nano, drejtuar Kuvendit të Parë të PPDK
Të nderuar pjesëmarrës të Kuvendit të Parë të PPDK,
Vëllezër dhe motra,
Është një kënaqësi e madhe për mua të përshëndes Kuvendin e Parë të PPDK-së. Në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju uroj suksese dhe progres në forcimin dhe konsolidimin demokratik e modern të partisë suaj.
Partia juaj është pasuesja e UÇK-së së lavdishme dhe thelbi politik e kombëtar i saj. Lufta juaj në emër të lirisë, pavarësisë, humanizmit dhe demokracisë ishte një lëvizje e fuqishme popullore kundër dhunës, shovinizmit dhe gjenocidit shekullor serb, të përfaqësuar nga regjimi fashist i Millosheviçit. Prandaj ajo u mbështet dhe u përkrah fuqimisht nga politika, diplomacia dhe ndërhyrja ushtarake e strukturave euroatlantike, me në krye SHBA-në dhe NATO-n.
Programi juaj politik për një Kosovë demokratike dhe moderne si pjesë e Europës së integruar nuk mban vetëm vulën e mendimit tuaj që jeni sot në sallë. Ai mban, mbi të gjitha, vulën e heroizmit masiv të një populli të tërë, vulën e gjakut të të rënëve, të legjendës së Kosovës Adem Jashari dhe të të gjithë atyre që flijuan jetën e tyre për ta bërë Kosovën ashtu siç është e gjithë Europa: të lirë dhe moderne.
E dalë nga lufta çlirimtare dhe e lidhur ngushtë me popullin e saj, PPDK do të dijë që, në kushtet e reja në të cilat jeton Kosova, të përfaqësojë një forcë politike serioze, moderne e demokratike, për ta orientuar ndërtimin e saj drejt së ardhmes dhe drejt integrimit, bashkë me forcat progresiste shqiptare në gjirin e strukturave euroatlantike.
Në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë shpreh bindjen e patundur se Partia juaj, si bartëse e traditave më të mira të popullit të Kosovës dhe me programin e saj politik të orientuar drejt së ardhmes, shumë shpejt do të bëhet një forcë politike që, ashtu siç mori përsipër luftën për çlirimin e Kosovës, po ashtu do të dijë të marrë përsipër edhe luftën për ndërtimin e Kosovës së lirë dhe demokratike.
Partia Socialiste, me qeverisjen e saj demokratike dhe si forcë politike që synon të ndërtojë një Shqipëri sipas modeleve të aleatëve tanë perëndimorë, është e gatshme dhe e vendosur ta forcojë e ta thellojë më tej bashkëpunimin me Partinë e Progresit Demokratik, për të punuar e ndërtuar së bashku me të gjitha forcat e tjera politike progresiste të kombit tonë dhe në aleancë me partnerët tanë perëndimorë, të ardhmen demokratike, mirëqenien dhe prosperitetin për mbi 6 milion shqiptarët që jetojnë në Ballkan.
Suksese Kuvendit të Parë të PPDK!
Nder dhe lavdi heronjve të Kosovës të rënë në luftën për liri!
Me përshëndetje vëllazërore,
Fatos Nano
Kryetar i PSSH