“Kostume deri në 1000 euro te Altin Mici!” Reagon stilisti: RTSH të ndërmarrë përgjegjësinë institucionale, unë nuk kam marrë asnjë para

Radio Televizioni Shqiptar prej javësh është duke u përballur me një mori akuzash sa i përket mos shlyerjes së pagesave ndaj punonjësve të saj.
Në këtë vorbull akuzat dhe kritikash, u tha se fondet e RTSH-së janë përdorur për kostume të qepura nga stilisti i njohur Altin Mici që arrijnë deri në 1 mijë euro, këmisha të shtrenjta dhe shami xhaketash, të cilat kushtojnë deri në 50 euro copa e për harxhime luksi.
Në një kohë kur deri më tani këto akuza janë ngritur nëpër rrjetet sociale dhe ende nuk kemi një reagim zyrtar nga Radio Televizioni Shqiptar, së fundmi ka reaguar vetë Mici i cili ka sqaruar se publikimet e bëra përgjatë ditëve të fundit janë të pavërteta.
Duke qenë se emri i tij është lakuar gjerë e gjatë, Mici i ka kërkuar publikisht RTSH-së që të marrë përgjegjësinë institucionale dhe të ndërmarrë hapat e mëposhtme:
-Të bëjë një sqarim publik, ku të konfirmojë qartësisht rrethanat reale të këtij bashkëpunimi dhe faktin se shërbimi nga ana ime është ofruar dhe dorëzuar pa marrë asnjë kompensim, as financiar dhe as publicitar.
-Të ndërmarrë pa vonesë veprimet e nevojshme për të zgjidhur detyrimin e pambyllur ndaj meje, duke finalizuar procesin e kompensimit në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.
-Të garantojë ndalimin e çdo interpretimi të gabuar publik, i cili dëmton padrejtësisht imazhin tim profesional dhe reputacionin e biznesit që përfaqësoj, duke pranuar se situata e krijuar ka ardhur si pasojë e mosveprimit të institucionit dhe jo nga ana ime.
Nëse Radio Televizioni Shqiptar nuk ndërmerr hapat e mësipërme atëhere stilisti ka paralajmëruar se do ta ndjekë këtë çështje përmes rrugës ligjore.
“Nëse RTSH nuk ndërmerr këto hapa në një kohë të arsyeshme, do të jem i detyruar të përdor të gjitha mjetet ligjore të parashikuara, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të mia dhe të reputacionit tim profesional”, shkruan ai ndër të tjera.