“Kjo më ka ngacmuar…”, Tërmet Peçi thyen heshtjen dhe flet për herë të parë për skandalin seksual te Ura e Leklit

Ish-kryebashkiaku i Tepelenës dhe tashmë deputet i Partisë Socialiste, Tërmet Peçi ka folur për herë të parë për një lajm që qarkulloi në ditën e zgjedhjeve, më 11 Maj, në disa portale anonime. Ato pretenduan për një skandal seksual të Peçit me vartësen e tij.
“Pak ora para kutisë së votimit nxorën një lajm shumë të shpifur. Kjo (ngjarje) më ka ngacmuar. Mund ta kishin nxjerrë më parë, por pritën atëherë. Por ky lajm nuk ndikoi fare, sepse atje ku unë jetoj më njohin shumë mirë”, është shprehur politikani socialist.
I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku, Tërmet Peçi ka kujtuar gjithashtu ngjarje të ngjashme që kanë ndodhur rreth 10 vjet më parë, kur portalet kishin publikuar lajme për fëmijët e tij asokohe adoleshentë.
“Para disa vitesh portalet po ngacmonin fëmijët e mi, që ishin adoleshentë. I gjeta numrin drejtuesit të portalit, e mora në telefon edhe më tha: ‘E di si është puna o kryetar, lajmi yt shitet.’ Pse ore me mua do bësh lekë ti?
Këtu shteti vetë duhet të vërë dorë. Nëse ke diçka nxirre dhe unë përgjigjem. Por jo të më baltosësh vetëm për klikime”, është shprehur deputeti i Partisë Socialiste, i cili për disa mandate me radhë ka drejtuar Bashkinë e Tepelenës, deri në 11 Maj kur hyri në fushatën e PS për Kuvend.
Tërmet Peçi ka theksuar se përdorimi i lajmeve të tilla për përfitime politike nuk është rruga e duhur: “Kjo nuk është rruga e duhur, të baltosësh dhe të bësh politikë. Nëse do të bësh politikë, përballu me njerëzit.”