Alarmi nga minat detare! Turqia, Rumania dhe Bullgaria ndërhyjnë me plan të përbashkët

Turqia, Rumania dhe Bullgaria kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët që do të pastrojë minat detare në Detin e Zi, të vendosura si pasojë e luftës në Ukrainë.

Marrëveshja u nënshkrua në Stamboll nga ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, ministri rumun i Mbrojtjes, Angel Tilvar, dhe zëvendësministri bullgar i Mbrojtjes, Atanas Zapryanov.

Guler tha se pas nisjes së luftës në Ukrainë, minat lundruese janë kthyer në një rrezik serioz për lundrimin në Detin e Zi. Për këtë arsye, tre vendet ranë dakord të krijojnë një grup të përbashkët për zbulimin dhe çaktivizimin e tyre.

Në këtë mision do të angazhohen nga tre anije për pastrimin e minave nga secili vend, si dhe një anije komanduese. Operacioni do të drejtohet nga një komitet i përbashkët i komandantëve detarë të Turqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë.

Turqia theksoi se nisma do të jetë e hapur vetëm për anijet e këtyre tre vendeve të NATO-s që kanë dalje në Detin e Zi. Ankaraja shtoi gjithashtu se ka zbatuar me përpikëri Konventën e Montros, e cila rregullon kalimin e anijeve ushtarake në ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve gjatë kohës së luftës.

NATO e përshëndeti marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë së lundrimit dhe mbrojtjen e korridoreve të transportit të ushqimeve në rajon.

Turqia ndërkohë vazhdon përpjekjet, së bashku me OKB-në, Ukrainën dhe Rusinë, për të rikthyer marrëveshjen për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT