Këshilli Bashkiak propozon shkarkimin e Veliajt, vendimi në tryezën e Ramës! Pesë anëtarë nuk votojnë (EMRAT)

Shkarkimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka gjetur kundërshtimin e disa këshilltarëve socialistë por dhe nga opozita. Katër këshilltarë socialistë nuk votuan shkarkimin e kryebashkiakut Veliajt. Këshilltarët socialistë Alfred Muharremi dhe Aldo Merkoci nuk votuan, ndërsa , Joleza Koka dhe Gaz Paja nuk morën pjesë fare në këshill. Gjithashtu edhe këshilltari i djathtë Fabian Topollaj, nuk votoi.
Në fjalën e tij, këshilltari socialist Alfred Muharremi vlerësoi punën e Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa Aldo Merkoci u shpreh më ashpër, duke theksuar se me këtë procedurë po cenohet autonomia vendore dhe po tjetërsohet vullneti i qytetarëve.
Edhe këshilltari i djathtë Fabian Topollaj e cilësoi nismën si një shkelje të plotë, duke kujtuar se nuk është Këshilli Bashkiak ai që shkarkon një kryebashkiak, por Këshilli i Ministrave, vetëm në rastet e parashikuara nga ligji. Ai shtoi se argumentet për shkarkimin e Veliajt, me pretendimin se ka tre muaj që mungon në punë, nuk qëndrojnë, pasi mungesa nuk vjen nga dëshira e tij, por nga pamundësia objektive.
Ai deklaroi se Veliaj prezumohet i pafajshëm sa kohë që nuk është dënuar nga gjykata.
***
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun Erion Veliaj.
Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për ta shkarkuar kryebashkiakun Veliaj nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Këshilli Bashkiak mblodhi 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt; atë të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të këshilltarit Endri Shabani, duke i votuar si një e vetme.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Tiranë munguan këshilltarët socialistë Gazment Paja dhe Joleza Koka. Edhe këshiltarët socialistë, Aldo Merkoçi dhe Alfred Muharremi u larguan nga mbledhja në momentin e votimit.
Ndërsa këshilltari tjetër i Bindjes Demokrati, Fabian Topollari nuk mori pjesë në votim.
Vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt në fakt është propozim. Ky propozim i dërgohet Prefektit të qarkut, dhe Prefekti ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt Qeverisë. Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Ministrave, që do të certifikojë shkarkimin e Erion Veliajt ose jo.
Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, siç kishte kërkuar edhe vetë ai që të dëgjohej.
Komisioni i Ligjeve të Këshillit Bashkiak Tiranë më herët gjatë ditës së sotme (23 shtator 2025) vendosi që Veliaj të mos ishte i pranishëm në mbledhje, teksa më vonë, Sekretari i Këshillit Bashkiak, përmes një letre drejtuar Veliajt, pak para mbledhjes, tha se nuk ka vendim që e ndalonte të merrte pjesë.
Por këshilltarët demokratë kërkuan që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në këtë mbledhje.
Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Duhet theksuar se mosparaqitja e Erion Veliajt në detyrë si kryebashkiak i Tiranës ka ndodhur për shkak të arrestimit të tij. Ai është në arrest në burg që prej 10 shkurtit, pra më shumë se 6 muaj, edhe pse vetë ka kërkuar disa herë nga gjykata që të hetohej me një masë më të butë sigurie, togat e zeza e patën refuzuar.
SPAK e ka mbyllur dosjen në ngarkim të tij dhe e ka dërguar në gjyq, me 13 akuza ndaj kryebashkiakut, prej të cilave korrupsion në 9 raste.