Del sekreti i Policisë/ Ja rrethimi për 2 marsin e Ilir Metës në Bulevardin e Tiranës

Të premten, Ilir Meta nën cilësinë e presidentit thirri në një takim krerët e lartë të Policisë, mes të cilëve edhe drejtorin e Policisë së Tiranës. Objekt diskutimi ishte Manifestimi i 2 Marsit, për të cilin Policia deri në momentin e fundit ka qenë skeptike edhe për lejen, e aq më tepër që është kërkuar në orët e pasdites.
Por, pavarësisht garancisë presidenciale se nuk do të ketë asnjë incident, ligjërisht Policia ka nisur marrjen e masave, deri diku edhe ekstreme. Burime nga Policia i thanë Gazetës Shqip se do të jenë të angazhuar më shumë se 800 policë, të cilët do të kenë së pari nën vëzhgim të rreptë institucionet shtetërore dhe personat me precedentë penalë.
Ndërkaq, një qarkore ka qarkulluar në të gjitha drejtoritë e Policisë në qarqe për të identifikuar edhe njëherë dhe madje të skeduar të gjithë personat që janë të njohur për krime të ndryshme, me precedentë penalë vitet e fundit.
Burimet thanë se Policia do të ketë siguri maksimale në akset rrugore, duke filluar kontrollet e imtësishme të të gjitha mjeteve të dyshuara që prej orës 12.00 të mesditës. Sakaq, forca të Ndërhyrjes së Shpejtë do të jenë vendosur përgjatë Rrugës së Elbasanit në pritje për të ndërhyrë në rast se do të ketë incidente.
Nga ana tjetër, do të ketë edhe një trupë, e cila do filmojë me dron, por edhe mjete të tjera të gjitha lëvizjet e organizatorëve të manifestimit, si dhe njësia speciale e vendosur në godinat e Kuventi të Shqipërisë dhe Kuvendit.
Por, “përplasja” pritet të jetë mes Gardës së Republikës, e cila së pari duhet të mbrojë kreun e shtetit dhe së dyti institucionet e rëndësishme të shtetit shqiptar.
Por çfarë pritet të ndodhë në 2 Mars. Zërat thonë se një dekret do të jetë shpallja e një referendumi. Ka edhe shumë që thonë se Presidenti do të bëjë një shpërndarje të Parlamentit.
Gjithsesi, nga fronti i Ilir Metës nuk ka dalë asnjë informacion se çfarë do të ndodhë konkretisht. Megjithatë, Policia, përmes urdhrit të saj ka kaluar në gatishmëri të përforcuar. Por, më shumë se pritshmëritë për akte dhune, burimet thonë se do të jenë të përqëndruar tek persona të veçantë, që do të tentojnë të krijojnë incidente.