Gjermani, më shumë hyrje ilegale se dëbime, shqiptarët në vend të katërt

Në Gjermani po shtohet shqetësimi nga hyrjet e paligjshme në vend përmes aeroporteve. Shqiptarët renditen të katërtit në listën e hyrjeve pa leje. Sipas raportimeve të grupit mediatik gjerman, “Funke Mediengruppe” numri i hyrjeve ilegale në vend krahasuar me atë të dëbimeve ka qenë më i lartë.
Nga janari në tetor 2019 autoritetet gjermane kanë regjistruar afro 21.000 dëbime nga Gjermania, që do të thotë 1000 vetë më pak se vitin e kaluar. Ndërkohë, hyrjet e paglijshme gjatë 2019-tës, shkojnë në 33.000. Vetëm në nëntor policia federale regjistroi gati 3.700 të tilla.
Sipas Policisë Federale gjermane, hyrjet e paligjshme realizohen kryesisht përmes aeroporteve dhe ky mbetet një problem i vazhdueshëm i pazgjidhur për Gjermaninë. Pasi kalojnë kufirin, dëbimi I këtyre njerëzve bëhet shpesheherë mjaft i vështirë për shkak të pretendimeve ligjore që ngrihen sipas rastit.
Nuk janë të paktë megjithatë, edhe ata që kalojnë pa leje përmes kufirit me Austrinë dhe atij me Cekinë. Të dhënat e autoriteteve gjermane tregojnë se vendin e parë të kësaj liste e zënë afganët, të dytin nigerianët, pas tyre renditen turqit dhe shqiptarët janë të katërtit, përpara irakianëve që zënë vendin e pestë.
Policia Federale gjermane flet për “një stanjacion të shifrave të kthimit” për personat pa të drejtë qëndrimi dhe përmend si arsye një “masë të madhe” dëbimesh të pezulluara nga landet.