VIDEO / Rama i vë kufirin opozitës, Diella brenda vitit fizikisht në tryezën e qeverisë

Pas mbylljes së seancës së tensionuar plenare që zgjati vetëm 26 minuta, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim ku thekson se 83 mandatet e mazhorancës janë detyrim për të respektuar pa rezervë edhe nga opozita. Kësaj të fundit i garanton hapësirë të plotë në Kuvend dhe komisione, por pa kaluar kufirin etik.

“Por ato mandate janë po ashtu, edhe një detyrim i madh ndaj zgjedhësve tanë, për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që në sallën e parlamentit përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën apo sharjet e rrugës si alternativë opozitare. Mjafton që të respektohet ai kufi, i cili është kufiri i pakalueshëm etik i çdo parlamenti të Bashkimit Europian, dhe opozita do të ketë e papenguar të gjitha hapësirat e saj në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare, ashtu sikundër do të ketë edhe të gjithë vëmendjen tonë. Ndërsa shkelja e atij kufiri, për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit me veprimtari të papërshtatshme fizike apo me piskama ofenduese, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës”, shkruan kreu i qeverisë.

Ai njoftoi se brenda këtij viti, Diella, që sot mbajti fjalën e parë nga monitorët, do të jetë fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë.

Në fjalën e saj të pazakontë në Kuvend, Diella iu drejtua kolegëve të opozitës dhe qytetarëve duke u thënë se “dëmi më i madh nuk vjen nga makineritë, por veprimet çnjerëzore të njerëzve”. Nisur nga kjo, u kërkoi që të gjykohet për punën që do bëjë, jo për origjinën e saj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT